“Brazili nuk e njeh frikën”, Tiago Silva kërcënon Kroacinë dhe ekzalton Nejmarin: Është lojtari më i fortë në botë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2022 | 9:45

“Brazili nuk e njeh frikën”, Tiago Silva kërcënon Kroacinë dhe ekzalton Nejmarin: Është lojtari më i fortë në botë!

Kapiten i Brazilit në tri edicione të ndryshme të Botërorit: 2014, 2018 dhe tashmë në “Katar 2022”. Do të jetë e vështirë t’i mohosh Tiago Silvës primatin që deri një muaj më parë ndante me Karlos Dungën (kapiten në 1994 dhe në 1998), Markos Kafunë (kapiten në 2002 dhe 2006) dhe me Hilderaldo Belinin (kapiten në 1958 dhe 1962). Por duke mbetur te statistikat, në sfidën kundër Koresë së Jugut, në moshën 38 vjeç e 74 ditë, ai u bë edhe futbollisti më i moshuar që shërbente një asist në një Kupë Bote, duke mposhtur rekordin që mbahej nga kamerunasi Roxher Milla, me 38 vjeç e 42 ditë. Tiago shërbeu Riçarlisonin për golin e tretë nga katër të shënuar kundër koreanëve, një aksion i bukur, i gjithi me të parën me top në tokë.

TIAGO SILVA 1

Një gol madhështor apo jo Tiago?

Për efikasitetin dhe shpejtësinë e veprimit… U duk një skemë e përsëritur shpeshherë në stërvitje. Është e vërtetë apo jo? Në të vërtetë jo, nuk e kishim përgatitur një gol si ai. Erdhi spontanisht, në moment, ishte rastësor. Nuk provojmë të tilla situata në stërvitje, por detyrat ato janë… Gjatë goditjeve të këndit, nëse topi del jashtë zone dhe është mundësia që të rifutet sërish në zonë me vazhdimin e aksionit, unë dhe Markuinjos duhet të qëndrojmë aty, në zonë. Për një moment mendova se duhet të nisesha drejt mesfushës sonë, por më pas kur pashë zhvillimet thashë: “Të përfitojmë!” Qëndrova në zonë dhe shërbeva topin për Riçarlison.

Paraqitja ndaj Koresë së Jugut ishte fantastike. Mos ndoshta ekziston rreziku që të ndiheni më të fortë seç duhet?

Ne jemi të fortë, në kokë, në aspektin psikologjik mbi të gjitha. Kundër Kroacisë gjithsesi do të jetë një tjetër ndeshje dhe duhet ta mendojmë e menaxhojmë ndryshe. U mërzita me një gazetar, sepse tha se kundër koreanëve ishte më shumë sesa e thjeshtë. Jo, prisni… Ne kemi studiuar dhe punuar shumë për atë ndeshje. Dhe të na e hedhin mundin poshtë, duke mos treguar respekt për ne dhe për koreanët, duke thënë se ishte tepër e lehtë, as që pranohet. Mund të pranoj se ata ishin lodhur shumë nga ndeshja me Portugalinë, për më tepër kishin më pak ditë sesa ne për të pushuar dhe mendoj se ishte kjo që e bëri diferencën në fillimin e sfidës. Ndërkohë, ne me Kamerunin, pasi e kishim siguruar kualifikimin patëm mundësi që të karikojmë bateritë, duke qëndruar pushim.

Është korrekte kur thuhet se Nejmar me rikthimin e tij në fushë ju riktheu edhe më shumë siguri e vetëbesim?

Me Nejmarin mënyra e të qenit “Brazili” ndryshon totalisht. Ai është i pazëvendësueshëm. Kaloi 10 ditë shumë të vështira, por ndaj Zvicrës bëri një ndeshje madhështore me vetëm dy seanca stërvitore në këmbët e tij. Tregoi se është 100 për qind i përqendruar te Kupa, se e kërkon me forcë këtë trofe, ashtu sikurse të gjithë ne.

Është Nejmari pika juaj e referimit në fushë, në aspektin teknik?

Jo vetëm! Në ditët e fundit ka qenë një shembull për më të rinjtë e grupit. Ata e panë të vuajë, të bëjë gjithçka për t’u rikthyer, e kuptuan rëndësinë e një Botërori. Nejmar kundër Koresë së Jugut tregoi se është më i miri në botë.

E shtypët rivalin, por ama Alison tri pritje vendimtare i bëri…

Alison, Ederson e Veverton janë tre portierë fantastikë. Edhe në këtë rol kemi luksin e zgjedhjes.

Keni nisur të flisni që tani për një gjysmëfinale të mundshme me Argjentinën?

Jo, sepse pikësëpari duhet të respektojmë Kroacinë, rivalen tonë, e cila në 2018-ën arriti deri në finale kundër Francës. I vetmi avantazh për ne është se kroatët luajtën 120 minuta ndaj Japonisë. Dhe në një Kupë Bote, ku luhet shpesh dhe presioni është i lartë, edhe 30 minuta mund të ndikojnë. Gjithsesi, ne luajtëm pas tyre… Luajtëm vonë, shumë vonë madje.

Çfarë do të thotë kjo?

Ndeshja u zhvillua në orën 22:00 lokale, një orar shumë i keq, i cili detyron lojtarët që ta gdhijnë. Deri në 5 të mëngjesit nuk bëhej fjalë për të fjetur, sepse edhe adrenalina e një kualifikimi ta provokon këtë.

Besoni se ekuilibri është forca juaj?

Shtatë gola të shënuar dhe dy të pësuar në katër ndeshje janë një indicie ekuilibri mes dy fazave të lojës. Ndonjë kritik thotë se jemi një skuadër e ngjitur me allçi, por mendoj se nuk është fjala e duhur që na përshkruan. Përpara kemi lirshmëri për të krijuar, një varietet zgjidhjesh, ndërsa prapa duhet të mundohemi që të pësojmë sa më pak që të jetë e mundur. Përveç Nejmarit, në fazën ofensive kemi Rafinjën e Viniciusin në krahë, dy lojtarë shumë të fortë teknikisht. Humbja kundër Kamerunit na duhej pasi na bëri të kuptojmë që të mos e ulim kurrë përqendrimin. Kundër Koresë gjithashtu pësuam një gol që mund ta evitonim. Pas 4-0 ishim disi të relaksuar, por mendoj se mund të justifikohet, është normale…

E ndieni presionin e të qenit favoritë kryesorë për Kupën e Botës?

Nuk kemi frikë, kjo fjalë nuk pëlqehet dhe nuk bën pjesë në fjalorin e grupit tonë të lojtarëve. Respektojmë të gjithë, siç është e drejtë. Duhet të vazhdojmë të shprehim deri në fund futbollin tonë, kurajozë dhe dëfryes!

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"