Branica: Prestige e kaloi ngërçin, na ndihmoi rikthimi i presidentit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2024 | 12:42

Branica: Prestige e kaloi ngërçin, na ndihmoi rikthimi i presidentit

Kategoria e Tretë këtë fundjavë zhvillon ndeshjet e javës së 10-të dhe kryesuesit e Grupit A, Prestige do të luajë në transfertë kundër Bulqizës, takim i cili do të zhvillohet në kompleksin e FSHF-së në Kamzë. Aldo Branica, në një prononcim për “Panorama Sport”, deklaroi se Prestige me fitoren kundër Klosit arriti të kalojë ngërçin, kështu që të dielën pritet vazhdimësia ndaj bulqizakëve.

aldo branica

Si është gjendja e skuadrës pas rikthimit te fitorja kundër Klosit?

Fitorja me Klosin bëri që skuadra të rikthehet te fitoret. Ndoshta ishte fatsjellësi presidenti ynë që hyri në fushë si lojtar e na riktheu optimizmin. Futja e tij në lojë na ndihmoi shumë në ruajtjen e qetësisë dhe të menaxhimit të rezultatit. Skuadra e ka kaluar ngërçin e dy humbjeve dhe jam plot shpresë se Prestigji nuk do të ndikohet më nga presionin psikologjik. Do të fitojmë çdo takim.

Sa e vështirë ishte kundër Klosit, sepse vinit pas dy humbjeve radhazi?

Kishim pak presion psikologjik sepse donim ta fitonim patjetër këtë takim. Dy humbjet e shkaktuara më parë na kishin vënë përpara ultimatumit që kurrsesi nuk duhej humbur asnjë pikë. Përveç presionit për fitore, edhe fati nuk ka qenë me ne. Kemi krijuar raste thuajse në të gjitha ndeshjet, por kemi humbur shumë prej tyre. Sigurisht që tregues për të fituar një takim është goli. Ne jemi ndalur shpesh herë nga shtyllat, por edhe penalltitë e humbura kanë ndikuar jo pak. Besoj se me rikthimin e presidentit Hysenbelliu ngërçi po largohet dhe çdo gjë do të normalizohet. Tani do të shikoni ekipin tonë të vërtetë.

Sot me Bulqizën, a është gati Prestige për këtë takim?

Prestigji ka qenë dhe është gjithmonë i gatshëm për t’u përballur me çdo kundërshtar. Do të jetë një takim i vështirë, por skuadra nën drejtimin e trajnerit Dule është mjaft e përgatitur për të fituar kundër Bulqizës. Kampionatit po i vjen fundi dhe të gjitha skuadrat nuk kanë shumë diferenca, por dhe pretendimet e kundërshtarëve e bëjnë më të vështirë rrugën tonë për të ruajtur kreun. Përpos rivalitetit, ne i trembemi vetëm vetes. Çdo javë bëhet më e vështirë dhe po përgatitemi për të arritur objektivin. Ndeshja kundër një rivali sjell edhe më shumë përgjegjësi, prandaj detyra jonë është që t’i mposhtim të gjithë e të ruajmë kreun deri në fund. Besimi te presidenti, stafi dhe lojtarët është i patundur që Prestige ngjitet në Kategorinë e Dytë si kampion.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"