Botërori i boksit, fitore të rëndësishme për sportistët shqiptarë 

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2023 | 12:15

Botërori i boksit, fitore të rëndësishme për sportistët shqiptarë 

Prej datës 30 prill në Tashkent të Uzbekistanit po mbahet Kampionati Botërori i Boksit. Në këtë aktivitet të rëndësishëm merr pjesë edhe Shqipëria, e cila përfaqësohet me 6 sportistë: Arjol Zenelin, Krenar Zenelin, Ani Haxhillarin, Denis Nurjen, Arjon Kajoshin dhe Nelson Hysën. Ndërsa trajnerë të Kombëtares kuqezi janë Gëzim Zeneli dhe Lazarin Vila.

kajoshi

Fitorja e parë e boksierëve shqiptarë në këtë eveniment mban firmën e Arjon Kajoshit në kategorinë 75 kg. Boksieri shkodran mundi rivalin Nsangou Mouhamed Kadafi nga Kameruni me rezultatin 4-1, duke avancuar për në fazën e tretë, teksa në fazën e parë e kishte siguruar kualifikimin në tavolinë si rrjedhojë e mosparaqitjes së kundërshtarit. Kajoshi do të ngjitet sot sërish në ring, teksa përballë do të ketë boksierin Nekruz Salimov nga Taxhikistani. Ndërkohë, fitore ka siguruar dje edhe Arjol Zeneli në kategorinë e peshave 54 kg. Talenti vlonjat mposhti boksierin Soufiane Ahmed Said Baco nga Komoros, duel të cilin e fitoi me ndërprerje në fund të raundit të dytë.

Me këtë fitore edhe Arjol Zeneli kualifikohet në fazën tjetër. Arjol Zeneli sot do të sfidojë boksierin vendës nga Uzbekistani, Oybek Juraev. Ndërkohë, Denis Nurja në kategorinë 71 kg, Krenar Zeneli në kategorinë 60 kg, Ani Haxhillari në kategorinë 57 kg dhe Nelson Hysa në kategorinë +92 kg, janë ndalur që në ndeshjet e tyre të para në ring. Kujtojmë që rreth dy vite më parë kombëtarja kuqezi shënoi rezultatin më të mirë të saj në pjesëmarrjet në Botërorin e boksit, teksa Alban Beqiri i dhuroi Shqipërisë për herë të parë në histori medalje në një eveniment të tillë. Beqiri arriti të fitonte të bronztën në aktivitetin e zhvilluar në Beograd.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"