Blerja e bujshme e kavajasve debutoi me gol, Mustafa Ba: Shqipëria po më pëlqen, ja çfarë i premtoj Besës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2024 | 0:27

Blerja e bujshme e kavajasve debutoi me gol, Mustafa Ba: Shqipëria po më pëlqen, ja çfarë i premtoj Besës

Besa shikon dritë në fund të tunelit. Padyshim ndryshimi i trajektores së skuadrës kavajase vjen si rezultat i ndërhyrjeve që presidenti Bizhdili ka kryer në merkaton e dimrit. Përforcimet kanë qenë të shumta dhe pritet që të jenë edhe cilësore, pasi edhe investimi ka qenë i konsiderueshëm për klube të Kategorisë së Parë.

ba besa

Besa arriti të kthehej te fitorja ndaj Tomorit, por kjo fitore erdhi edhe me debutimin me gol të sulmuesit Mustafa Ba. “Mister 100 mijë euro”, që në premierën me Besën tregoi klas. Ai u tregua shumë altruist, ndaj shpresohet se do t’i vlejë shumë kësaj Bese për objektivat e saj. Dje ai ka pranuar me kënaqësi të japë një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, duke folur për herë të parë për mediat në Shqipëri.

Çfarë dinte Mustafa Ba për Shqipërinë?

Nuk dija asgjë rreth Shqipërisë. Më kishin treguar se është një vend i bukur me një klimë fantastike. Më kishin thënë gjithashtu se ka edhe njerëz të mirë që i duan e nderojnë shumë sportistët e huaj. Ju e dini se kam luajtur në Kosovë dhe futbollistët atje shpesh flisnin për Shqipërinë dhe në bisedat me ata kam krijuar këtë imazh. Është hera e parë që vij në Shqipëri. Tani që e preka vetë, mund t’u them se jemi akomoduar në kushte vërtet fantastike këtu në plazh dhe nuk mund të kishte më bukur, rrethuar me respekt e dashurinë e shokëve. Të gjitha sa më kishin thënë qenkan të vërteta (qesh).

Çfarë mesazhi morët nga premiera juaj me Besën?

Nuk e pata aspak të lehtë. Vetëm pas 48 orësh zbrita në fushë dhe nuk njihja realisht shokët e ekipit dhe mënyrën se si luanin. Pashë se në Shqipëri luhej futboll i fortë, muskujsh, dhe kërkohet një përgatitje shumë e lartë fizike.

Jeni i lumtur që debutuat me gol?

Larg modestisë, dua t’u them se detyra e një sulmuesi është të bëjë gola, pra thjesht bëra atë për të cilën kam ardhur. Natyrisht u ndjeva i gëzuar që debutova me gol. Pash edhe gëzimin në fytyrat e shokëve që më uruan.

Me këtë rast sa gola premton Mustafa Ba?

Nuk preferoj të bëj premtime, pasi futbolli njëherë shkon mirë, njëherë keq. Mbi të gjitha, uroj të jem mirë fizikisht pa dëmtime. Atë që unë premtoj është se do të punoj fort, me dëshirën e fatin që të shënoj çdo ndeshje. Do të ishte mirë për mua, por mbi të gjitha për ekipin.

Nisur nga premiera juaj, çfarë mendoni për Besën?

Nuk kam mbushur ende një javë të flas në aspektin profesional se si e shoh unë Besën. Pres të jap i pari kontributin tim e të shohim vetëm nga e ardhmja.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"