Bledar Devolli sfidon të shkuarën: Turbina luan për gjithçka sot ndaj Dinamos!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2022 | 9:43

Bledar Devolli sfidon të shkuarën: Turbina luan për gjithçka sot ndaj Dinamos!

Turbina është gati për transfertën e së dielës me Dinamon në kryeqytet, ku e pret një sfidë shumë e vështirë. Përpara ndeshjes me blutë, trajneri i cërrikasve, Bledar Devolli, është shprehur optimist për një rezultat pozitiv.

BLEDAR DEVOLLI

Në sezonin e kaluar, kur kryeqytetasit ishin pjesë e Kategorisë Superiore, gjirokastriti drejtoi blutë për një periudhë të shkurtër.

“Kemi punuar shumë gjatë gjithë javës dhe gjendja e ekipit më kënaq. Atmosfera në skuadër është e mirë dhe djemtë janë gati për të bërë një ndeshje dinjitoze. Vijmë me moral të lartë pas fitores me Tërbunin.

Do të hyjmë në fushë për fitore, pasi në çdo përballje kemi objektiv tri pikët. Edhe në këtë takim do të synojmë triumfin, duke përfituar ndoshta edhe nga momenti jo i mirë që po kalon kundërshtari.

Ia dimë pikët e dobëta Dinamos dhe do të mundohemi ta godasim atje ku ka probleme. Kam qenë më parë pjesë e Dinamos, por kjo i takon së shkuarës.

Tashmë jam trajner i Turbinës dhe dua të fitoj ekipi që drejtoj. Na duhet fat në takimin e së dielës dhe shpresoj që të jetë në anën tonë.

Duhet të ngjitemi sa më shpejt në renditje”, ka thënë trajneri i Turbinës dje për “Panorama Sport”.

ZAIMI – Mbrojtësi i qendrës, Rei Zaimi, mendon se pas fitores së parë sezonale skuadra cërrikase do të marrë pikë edhe në kryeqytet.

“Kemi thyer akullin, duke marrë fitoren e parë që na çliroi shumë dhe na bëri më optimistë për ndeshjet e tjera. Atmosfera në kampin tonë është mjaft e mirë.

Na pret një ndeshje e vështirë, por kundërshtari nuk na tremb aspak. Them kështu pasi do të shkojmë të luajmë futboll dhe do të synojmë një rezultat pozitiv”, është shprehur Zaimi për gazetën.

MARINGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"