Bledar Devolli kërkon fatin me vete: Turbina do të guxojë ndaj Skënderbeut!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2022 | 11:29

Bledar Devolli kërkon fatin me vete: Turbina do të guxojë ndaj Skënderbeut!

Turbina do të synojë një rezultat pozitiv në transfertën e Korçës. Para duelit me Skënderbeun ka folur për “Panorama Sport” trajneri i cërrikasve, Bledar Devolli. Ai beson se skuadra i ka forcat për të dalë me pikë nga ky takim, teksa vjen pas një momenti të mirë.

BLEDAR DEVOLLI

“Jemi stërvitur mirë këto ditë. Skuadra ka marrë të gjithë ngarkesën e duhur në minifazën përgatitore, pavarësisht disa problemeve me dëmtimet që kemi pasur.

Skuadra është në gjendje të mirë dhe kjo më kënaq shumë, por jo vetëm kaq, më bën optimist për një rezultat pozitiv ndaj Skënderbeut.

Sigurisht që na pret një takim i fortë në Korçë, pasi përballë kemi një skuadër me synime madhore”, ka thënë fillimisht Devolli. Në kushtet ku janë cërrikasit, edhe një pikë ndaj Skënderbeut vlen, pasi i jep moral për t’u larguar sa më shpejt nga fundi i tabelës. Megjithatë, Devolli thekson se skuadra e tij do të futet në fushë me mentalitetin e duhur.

“Sigurisht që nuk shkojmë të dorëzuar, por do të synojmë pikë. Kam besim që do t’ia dalim me Skënderbeun, por na duhet pak fat në këtë takim.

Jemi në vend të fundit, por nuk e meritojmë këtë pozicion. Kemi lënë disa pikë të rëndësishme rrugës, që na kanë penalizuar. Megjithatë, duhet ta mbyllim ashtu si duhet këtë fazë të parë, duke marrë sa më shumë pikë në tri takimet e mbetura.

Si fillim kemi sfidën me korçarët, ku duhet të tregojmë se nuk e meritojmë atë vend në renditje”, deklaroi trajneri i Turbinës.

M. MIRAKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"