Bicaj braktis Kukësin dhe firmos në Iran

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Korrik 15, 2014 | 9:51

Bicaj braktis Kukësin dhe firmos në Iran

Bici ne IranAventura e mbrojtësit Ditmar Bicaj me Kukësin ka zgjatur vetëm në dy ndeshjet e turit të parë të Ligës së Europës, pasi lezhjani është transferuar në Iran, ku ka firmosur një kontratë dy vjeçare me skuadrën e Traktor Sazi. Nën praninë e menaxherit Amir Sadati, ish-lojtari i Skënderbeut është prezantuar tek iranianët dhe në dy vitet në vijim do të jetë pjesë e këtij ekipi. Lajmin në fjalë e ka konfirmuar për “Panorama Sport” vetë Bicaj, i cili ndihet i lumtur që arriti të nënshkruante me një ekip jashtë Shqipërisë, si dhe për faktin se nuk do të luajë si kundërshtar i Skënderbeut, me të cilin kaloi një periudhë të mrekullueshme. “Pas eliminimit në Ligën e Europës mori fund edhe aventura ime me Kukësin dhe tani jam pjesë e skuadrës iraniane të Traktor Sazi. Jam shumë i lumtur që kam arritur të siguroj një kontratë jashtë Shqipërisë. Është një ëndërr e madhe për mua, që të rikthehem të luaj edhe një herë jashtë vendit. Pra, është diçka e veçantë, për çka ndihem shumë mirë. Gjithashtu, dua të theksoj se më bëhet qejfi që nuk arrita të përballesha asnjëherë me skuadrën e Skënderbeut në kampionat. Kam respekt shumë të madh për atë klub, drejtuesit e saj dhe në veçanti për tifozët. Tashmë do të fokusohem plotësisht te skuadra e re me të cilën kam nënshkruar dhe do të mundohem të jap më të mirën time në çdo moment”, u shpreh Bicaj. Skuadra e Traktorit në sezonin e fundit u rendit e gjashta në kampionatin iranian, si dhe fitoi “Hafiz Cup”. Ditmar Bicaj, për momentin, është lojtari i vetëm i huaj në radhët e Traktor Sazi.
Ll. Saro






www.minuta90.com