Besëlidhja gati për supersfidën me Valbonën, trajneri Smajli: Ekipi në formë, ia dalim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2024 | 20:38

Besëlidhja gati për supersfidën me Valbonën, trajneri Smajli: Ekipi në formë, ia dalim

Besëlidhja, nën drejtimin e trajnerit lezhjan, Dritan Smajli, ka nisur javën stërvitore anti-Valbonë. Kjo sfidë luhet për llogari të javës së 12-të (java e parë e fazës së dytë) dhe do të zhvillohet të shtunën e 10 shkurtit në stadiumin “Besëlidhja” të Lezhës, në orën 13.30.

smajli

Sfida mes Besëlidhjes dhe Valbonës merr rëndësi, pasi do të “përplasen” dy skuadrat pretendente reale për ngjitje, nga ku i ndan vetëm 1 pikë në renditje. Lezhjanët po përgatiten që të marrin “hakun” e fazës së parë, pasi Valbona ishte i vetmi kundërshtar që i mundi. Trajneri Dritan Smajli për “Panorama Sport” deklaroi se ekipi gëzon formë të mirë, ndaj shpreson te arritja e objektivit.

“Ndonëse e mbyllëm fazën e parë gati me të gjitha fitore, por humbja që pësuam në start ndaj Valbonës na mbajti në vendin e dytë. Startin e fazës së dytë e nisim të shtunën në shtëpi ndaj Valbonës kryesuese, një supersfidë nga ku nis edhe mbajtja e kreut. Duke e ditur se vijmë pas një periudhe të gjatë pauze, na është dhënë mundësia të zhvillojmë një fazë të mirëfilltë përgatitore duke e alternuar stërvitjen me ndeshje miqësore. Tani ekipi është në top-formë duke pritur të qetë startin e fazës së dytë. Objektivi i Besëlidhjes është ngjitja në Kategorinë e Parë, ndaj nuk na tolerohen gabime”, u shpreh Smajli.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"