Besëlidhja e rënë zyrtarisht, Alcani: Ta mbyllim me dinjitet, ndaj Flamurtarit për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2023 | 12:29

Besëlidhja e rënë zyrtarisht, Alcani: Ta mbyllim me dinjitet, ndaj Flamurtarit për fitore

Besëlidhja ka edhe 180 minuta të fundit për të luajtur në Kategorinë e Parë. Prej disa javësh kanë rënë dhe ky verdikt nuk mund të zhbëhet, e megjithatë diçka e kanë në dorë. Lezhjanët duan që ta mbyllin me dinjitet ndeshjen e fundit që do ta luajnë në stadium.

alert alcani

Referuar deklaratave që kanë ardhur kohë më parë nga Bashkia Lezhë, pritet që të nisë edhe prishja e këtij impianti. Presin Flamurtarin, por kjo nuk i pengon që të bëjnë një paraqitje dinjitoze. Këtë e thotë edhe vetë trajneri Alert Alcani për “Panorama Sport”.

Ai paralajmëron se do të japin maksimumin, ndonëse nuk kanë më një mision. “Edhe pse për ne gjithçka është përcaktuar, kemi për çfarë të luajmë. Vërtetë kemi rënë një kategori më poshtë, por ndeshjen ndaj Flamurtarit e kemi vlerësuar maksimalisht. Të dielën do të jenë përballë njëri-tjetrit dy ekipe që tashmë kemi dalë nga objektivat, por ne do të luftojmë vetëm për fitore.

Jemi të bindur se do t’ia dalim, pasi ekipi këto dy javë është stërvitur me dëshirë të madhe. Duam që ta kalojmë me sukses këtë 90-minutësh, i cili është i fundit që luajmë në stadiumin tonë. Është edhe një formë për të treguar se kush është Besëlidhja e vërtetë. Fundi i tabelës nuk na takonte ne, por kështu erdhën rrethanat. Tani jemi të detyruar që të pranojmë realitetin e hidhur. Jam i sigurt që spektakli nuk do të mungojë, pasi do të luhet vërtetë për qejf. Pastaj mos harroni se përballë janë dy ekipe me traditë të madhe në elitë. E ardhmja? Që tani po mendojmë për sezonin e ardhshëm. Duhet që me patjetër të ngjitemi direkt, ndonëse e dimë që edhe Kategoria e Dytë nuk do të jetë e lehtë”, përfundoi tekniku i lezhjanëve.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"