Besëlidhja e ka si finale, flet Dibra: Të mposhtim Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2023 | 0:15

Besëlidhja e ka si finale, flet Dibra: Të mposhtim Dinamon

Besëlidhja pret Dinamon të shtunën në Lezhë, në kuadër të javës së 18-të të kampionatit. Pozicionimi në fund të tabelës është i papranueshëm për lezhjanët, të cilët do të kërkojnë kthesën ndaj bluve të kryeqytetit.

KLEDI DIBRA 1

Mbrojtësi 30-vjeçar, Kledi Dibra, për “Panorama Sport” flet për rëndësinë e kësaj ndeshjeje, si dhe synimin e Besëlidhjes.

“Tashmë kampionati po futet në zonën e nxehtë, ku ekipet nisin llogaritë me laps në dorë, ndaj edhe rreziku është më i madh për klubet e fundit të tabelës. Pozicioni që mbajmë momentalisht na detyron që të shtrëngojmë rripat për të dalë nga kjo gjendje. Ekipi po punon fort gjatë seancave stërvitore për të marrë ngarkesat e duhura brenda kapaciteteve tona dhe gjithçka po shkon mirë.

Ekipi në përbërje ka kualitete, por deri tani nuk është dhënë më e mira e mundshme. Duke qenë se ekipi ka kapacitete dhe mundësi më shumë, shpresoj se në pjesën e mbetur të kampionatit të gjitha rezervat do t’i vëmë në punë. Në radhë kemi supersfidën ndaj Dinamos, që do ta zhvillojmë në shtëpi. Pres një ndeshje me aromë Superioreje.

Besëlidhja ka treguar historikisht se ndaj ekipeve me traditë e histori zhvillon ndeshje perfekte, ndaj kam besim të plotë se edhe ndaj Dinamos do ta ruajmë traditën. Jo vetëm se na duhet medoemos fitorja, por kjo Besëlidhje tani i ka kapacitetet për të mos gabuar. Duke parë diferencën e pikëve ndaj ekipeve rivale që janë shumë të vogla, ne do ta lëmë shumë shpejt zonën e kuqe dhe do të nisim konsolidimin e pozitave të mbijetesës. Fitorja ndaj Dinamos jam i bindur se do të jetë edhe rruga pa kthim e mbijetesës”, deklaroi për gazetën lideri i mbrojtjes lezhjane.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"