Besa “qan” largimet , Pashja: Çalojmë në finalizim, nuk dorëzohem për afrimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2023 | 14:32

Besa “qan” largimet , Pashja: Çalojmë në finalizim, nuk dorëzohem për afrimet

Besa do t’i japë fund miqësoreve sot përballë Luzi 2008. Do të jetë një ndeshje që do të shërbejë për kolaudimin e ekipit në prag të sezonit të ri. Vëmendje do t’i kushtohet sidomos finalizimit, që Lorenc Pashjan e shqetëson shumë. Nëse në repartet e tjera loja është e rrjedhshme, e qartë dhe e balancuar, ngec kur vjen puna te goli. Këtë e ka rrëfyer vetë trajneri gjatë një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”:

pashja

“Kemi zhvilluar disa miqësore dhe në tërësi nga loja kam mbetur i kënaqur. Ekipi mbrohet mirë, del shpejt në manovrën sulmuese, por kur vjen çasti që kjo lojë duhet konkretizuar me gol, aty çalojmë disi. Përballë Skënderbeut në miqësore, jo vetëm luajtëm shumë mirë, por krijuam raste të pastra shënimi, por nuk realizuam dot. Për këtë arsye, do të përqendrohemi vetëm në këtë drejtim”.

KOLAUDIMI – Besa do të luajë sot në kryeqytet përballë Luzit. Arsyeja, sepse luznjakët kanë mbjellë barin e ri në fushën e stadiumit për të pritur Flamurtarin në premierën e sezonit dhe nuk duan ta dëmtojnë. Për Pashjen, kjo miqësore do të jetë kolauduese për lojën e grupit, pasi do të jetë e fundit në prag të ndeshjes hapëse me Vorën. “Kemi preferuar Luzin, një ekip që e kam drejtuar dhe e njoh mirë. Luzi, ashtu si Besa, bazohet në lojën teknike, ndaj do të jetë testi i vërtetë real në prag të kampionatit”, theksoi peqinasi i stolit të verdhezinjve.

MERKATO – Në prag të sfidës me Vorën, duket se shpresat e trajnerit për të afruar lojtarë, veçmas në qendër të mbrojtës e në sulm, nuk janë shuar. Sipas trajnerit, ai pret të paktën dy përforcime në fillim të javës së ardhshme. “E thashë edhe më lart, se shqetësimi im i vetëm mbetet finalizimi para portës dhe për këtë, pres të afrojmë edhe të paktën një qendërsulmues javën e ardhshme. Largimi i Ntepes dhe Hoxhës, që nuk e di ku luan sot, na penalizoi jo pak. Ne mbetëm me sulmues vërtet të talentuar, por pa përvojën që i duhet një ekipi që ka pretendime si Besa. Natyrisht që kemi bërë maksimumin dhe deri më sot jam i kënaqur nga sulmuesit, por në futboll, goli është ai që të nderon. Përtej të gjithave, personalisht besoj fuqishëm te ky grup lojtarësh, se me më shumë punë dhe duke fituar përvojë do të dinë t’ia dalin për të mbajtur Besën në korsinë e pretendentëve këtë sezon”, përfundoi Pashja.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"