Besa para provës së “zjarrit”, ja çfarë duhet përmirësuar te kavajasit për ndeshjen me Bylisin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2024 | 17:41

Besa para provës së “zjarrit”, ja çfarë duhet përmirësuar te kavajasit për ndeshjen me Bylisin

Afrimet e janarit i kanë dhënë një tjetër fizionomi skuadrës së Besës së Kavajës. Pesha dhe roli i qendërmbrojtësit Abdullai, mesfushorëve Nkube, Dabo e Kaola, si dhe veçanërisht sulmuesit Mustafa Ba, u shfaqën më së miri në dy takimet e fundit, ku Besa mori 2 fitore. Madje, goleadori Mustafa Ba kishte deklaruar për “Panorama Sport” se do të shënonte në çdo sfidë, dhe ia ka dalë në dy të parat.

besa duke festuar

Ndryshe nga Tomori e Luzi 2008, këtë fundjavë verdhezinjtë do të kenë sfidën e “zjarrit”, atë ndaj Bylisit që kryeson me meritë Kategorinë e Parë. Duket se kjo është arsyeja që presidenti i Besës Nexhat Bizhdili, mes miqsh, pas fitores me Luzin pati rezerva lidhur me lojën që Besa zhvilloi, përtej fitores. Bylisi është me meritë kryesues dhe është i aftë të të ndëshkojë në gabimin më të vogël.

Dhe këtë e dëshmoi edhe në dueli në Elbasan pa folur për fitoren e fundit ndaj Apolonisë apo fitoren e pastër në Vorë javë më parë. Parë kështu, kavajasit i pret një përballje e vështirë, por nisur nga kualitetet që Besa ka pa afrimeve të janarit, nuk do të përbënte asnjë çudi apo surprizë, që kavajasit të fitonin ndaj Bylisit. Kjo do të arrihej vetëm nëse të gjitha kualitetet që ka ekipi do të sakrifikonin fort në fushë dhe nuk do bënin ato gabime në pasimin e fundit, siç bënë me Luzin.

Të paktën në aspektin ofensiv, dy takimet e fundit dëshmuan se me mesfushorët si Dabo e Kaola dhe sulmuesin Mustafa Ba, verdhezinjtë janë shumë të shpejtë e të rrezikshëm në kundërsulmet e tyre. Pra, pritet një duel i fortë, i bukur dhe i vazhdueshëm mes sulmit kavajas e mbrojtjes së Bylisit. Deri të shtunën kavajasit do të punojnë për minimizimin e gabimeve në pasin e fundit dhe një harmonizim më të madh të lojës në grup.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"