Besa në “ashensor” për lart, Kastrioti u kujtua në fund. Bubeqi: Luajtëm mirë. Ndreu: Unë do t’i bëj golat?!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2024 | 15:01

Besa në “ashensor” për lart, Kastrioti u kujtua në fund. Bubeqi: Luajtëm mirë. Ndreu: Unë do t’i bëj golat?!

Java e 29-të e Kategorisë së Parë ka folur për Besën, pasi kavajasit aktualisht e shikojnë veten jashtë zonës së rrezikut, pasi janë ngjitur në vendin e tetë me 31 pikë, po aq sa Lushnja e cila renditet e shtata apo Burreli që pozicionohet i nënti.

BESAA

Kur kanë mbetur edhe 4 javë nga fundi, rreziku mbetet permanent, pasi vetëm katër pikë është distanca me Luzin, i cili mban vendin e 11-të në renditje. Gjithsesi, Besa vijon marshimin dhe mund këdo që i del përpara, gjë e cila jep siguri për mbijetesën. “Preja” e radhës ishte Kastrioti, që u detyrua të pranojë forcën e kavajasve. Që në fillim, verdhezinjtë e trajnerit Bubeqi u deklaruan për fitore, duke kërkuar golin, të cilin e gjetën me Spahiun në minutën e 20-të. Ndërsa Besa dominonte, ndodh gabimi fatal i Nurjes që i dhuron një 11-metërsh miqve, të cilët barazojnë shifrat pas ekzekutimit të kapitenit Neziri. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 1-1.

Pjesa e dytë ruajti të njëjtët tregues me Besën që kërkon të shënojë dhe Kastriotin që beson vetëm te kundërsulmi. Mustafa Ba nervozon ultrasit kavajas kur shpërdoron dy raste flagrante, por i qetëson ata në të 62-ën, kur shënon golin e epërsisë. Kavajasit dominuan tërësisht në lojë dhe goli i dytë personal i Spahiut vjen me një goditje në hyrje të zonës në minutën e 72-të. Pas rezultatit 3-1 Besa sikur kënaqet dhe tërhiqet dhe 10 minutat e fundit janë stresuese për verdhezinjtë.

Marinaj “tërbon” krutanët kur i vetëm me portierin kavajas Ahmetaj, nuk shtyn dot topin në rrjetë në dy raste. Të njëjtin gabim fatal bën edhe Musaj në të 88’, duke falur Besën. Në fund, një tjetër “dhuratë” e mbrojtësve kavajas, që shkaktojnë penallti, të cilën e fund e kthen në gol Marinaj. Me fitoren 3-2 të Besës u mbyll i gjithë takimi. Kavajasit morën fitoren e katërt radhazi, më 12 gola të shënuar për 12 pikë.

Bubeqi: Luajtëm mirë, por…

Trajneri Dorjan Bubeqi e ka transformuar Besën dhe pas fitores me krutanët u shpreh:E kishim përgatitur sfidën për fitore dhe ia dolëm. Luajtëm mirë, shënuam 3 gola, por s’e pranon tërheqjen e 10 minutave të fundit. Është e pafalshme të udhëheqësh 3-1 dhe në fund të rrezikosh për ta barazuar ndeshjen. Kjo është fitorja e 4-t radhazi, por më e mira do të ishte të mos bëhen kurrë këto gabime që mund të na kushtonin”.

 

Ndreu: Unë do t’i bëj golat?!

Ramadan Ndreu, trajneri i Korabit, pas humbjes me Besën u shpreh:Ndeshje e vështirë, me një Besë që po kalon një formë të mirë. Kastrioti u zgjua vetëm në 10 minutat e fundit, duke krijuar jo 1, por 4 raste flagrante goli. Jam i mërzitur, pasi ashtu si rrodhi loja të paktën një pikë mund e duhet ta merrnim. Nuk gabohet ashtu vetëm me portierin, pse unë do t’i bëj golat?”

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"