Besa mund Luzin në miqësore/ Devolli i kënaqur me testin, Pashja: Jemi gati për startin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2023 | 12:29

Besa mund Luzin në miqësore/ Devolli i kënaqur me testin, Pashja: Jemi gati për startin

Besa mund Luzin në miqësore. Ndeshja u zhvillua në Peqin (pasi në stadiumin ku do të luajnë të dyja skuadrat gjithë vitin, është mbjellë bari), ndaj edhe tifozët ishin të paktë. Nëse Bledar Devolli hodhi në fushë formacionin më të mirë, Lorenc preferoi të linte në stol titullarë si Mezani, Osma, Ajazi apo Lila. Takimin e ndoqi nga afër presidenti Nexhat Bizhdili, ndërsa Albert Lusha ndodhet në Itali.

pashja devolli

Minutat e para janë të shpejta, në të dyja kampet mendojnë për sulmin. Luzi me Mandelën e Trenin shfaqet dy herë rrezikshëm në minutën e 7- të dhe 12-të, por përvoja e Kaloshit bën të pavlera goditjet e tyre. Besa nga ana e saj përpiqet me Puqjen e Spahiun në krahë, pasi Pengu mbulohet rreptë e saktë nga dyshja e miqve Xhika e Hoxha. Ndeshja pas minutës së 25-të nis e balancohet e tashmë të dy ekipet luajnë me zbritje graduale. Për të ardhur te minuta e 42-të, kur një krosim nga e djathta gjen të pa mbuluar qendërmbrojtësin Berisha, që me kthesë çon topin në rrjetës. Miqtë surprizohen, por nuk hutohen dhe nuk do vonojë që mesfushori i Luzit padyshim Gjinaj godet shpejt brenda zonës. Topi pasi prek këmbën e një mbrojtësi mashtron edhe Kaloshin dhe 1- 1. Mbyllet këtu kjo pjesë.

Pas pushimit, verdhezinjtë fusin Mezanin, Osmën, Mehmetin dhe loja rritet. Falë kësaj do të jetë Spahiu ish-i i Luzit, që shfrytëzon një rreshtim të keq të mbrojtjes dhe devijuar më këmbë topin në rrjetë. Me gjithë luftën e fortë, nuk do të ndryshojë asgjë në rezultatin e takimit. Lojtarët që e nisën nga stoli nuk arritën dot të bënin më shumë dhe ritmi i lojës ra, për pasojë edhe rastet për shënim.

PASHJA – Lorenc Pashja vlerëson angazhimin e të tijve në këtë miqësore. Trajneri i ka ende sytë nga merkatoja. “Mbeta i kënaqur nga loja dhe angazhimi i djemve. Alternova lojtarët titullarë në dy pjesët e ndeshjes me objektiv të vetëm konstatimin e gjendjes së secilit. Përtej fitores, grupi është plotësisht i gatshëm për të startuar garën. Merkato? Pres përforcime në sulm deri në afatin e fundit të 31 gushtit”, tha peqinasi i stolit të Besës.

DEVOLLI – Bledar Devolli mori mesazhe të mira nga Luzi. Përtej ndonjë defekti të vogël, trajneri vlerëson lojën. “Miqësorja me Besën na vlejti shumë, pasi është një ekip që luan teknikisht ashtu si edhe ne. Jam i kënaqur në tërësi, por duhet të korrigjojmë si në drejtim të rasteve, por edhe të pësimit si të golit të dytë naiv sot. Luzi i ka të gjitha mundësitë, që këtë sezon të jetë një konkurrent me vlera. Shpresoj ta nisim mbarë me Flamurtarin”, tha numri një i pankinës.

BESA 2-1 LUZI 2008
GOLAT: Berisha 42’, Spahiu 55’/ Gjinaj 44’

BESA: Kaloshi, Balla, Kapo, Berisha, Brener, Deliu, Sulovari, Ali, Spahiu, Penu, Puqja;
(U aktivizuan: Ajazi, Osma, Lila, Bali, Mehmeti, Mazani).
Trajner: Lorenc Pashja

Luzi 2008: Hoxhaj, Burgaj, Xhika, Goga, Hima, Gjinaj, Benxhamin, Koka, Treni, Mandela;
(U aktivizuan: Kasa, Zeqiraj, Hidri, Metalia, Koni, Maculi, Bajrami).
Trajner: Bledar Devolli

GJYQTARË: G.Sulko, E.Malo, D.Mile(Lushnjë)

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"