Besa me prapavijë dardane, priten 4 afrime/ Porta do të jetë e gjitha për Abdullahun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2023 | 23:08

Besa me prapavijë dardane, priten 4 afrime/ Porta do të jetë e gjitha për Abdullahun

Nuk ka kokëdhembje për portën te Besa. Edhe pse Ilir Dobjani u largua drejt Egnatias, pasardhësin e tij e kanë gati. Jemi duke folur për Mustafë Abdullahun, i cili e ka fituar tashmë besimin e klubit. Luajti disa ndeshje si titullar në kampionatin e fundit dhe mendojnë se më të, do ta kenë katërkëndorin e garantuar.

besa

Këtë e konfirmon vetë trajneri Lorenc Pashja, që për “Panorama Sport” thotë: “Me largimin e Dobjanit në Rrogozhinë, nuk do të afrojmë portier të parë. Kemi bindjen se Abdullahu është rritur dhe do të na japë garancinë që duam për portën.

Plus që i përshtatet projektit që Besa ka për të afirmuar talentet e reja. Dhe ishte ky shkaku që portieri shtatlartë u mbështet në mbyllje të sezonit të fundit. Me aktivizimin që pati, ka tejkaluar pritshmëritë tona”.

Por 19-vjeçari, nuk do të jetë i vetmi lojtar kosovar në radhët e verdhezinjve. Burime pranë klubit zbulojnë për gazetën se edhe konkurrenti i Abdullahut do të vijë nga Kosova. Flitet për një tjetër portier të talentuar që do t’i bashkohet kavajasve në ditët e para të korrikut.

Po nuk mbaron këtu dashuria e Nexhat Bizhdilit me këtë treg, pasi në merkato priten edhe 3 futbollistë të tjerë. Ndonëse emrat e tyre nuk bëhen publikë, janë mësuar rolet të cilët ata luajnë. Do të jenë dy qendërmbrojtës dhe një mesfushor shkatërrues.

Kështu e gjithë prapavija verdhezi pritet të jetë e gjitha dardane. Mbetet për t’u parë se kush janë këta futbollistë dhe sa garanci do t’i japin ekipit të Besës gjatë garës.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"