Besa mbush 97 vjeç, presidenti Bizhdili i kërkon stadium bashkisë së Kavajës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2022 | 9:50

Besa mbush 97 vjeç, presidenti Bizhdili i kërkon stadium bashkisë së Kavajës

Përtej situatës në të cilën ndodhet Besa prej vitesh, historia e saj është e gjatë dhe lavdishme. Më datë 25 tetor klubi mbushi 97 vjeç dhe kjo ditëlindje nuk mund të kalonte në harresë.

besa

Në sallën qendrore të Pallatit të Kulturës “Kavaljon”, është organizuar një ceremoni enkas për këtë ditë të shënuar.

Veç drejtuesve më të lartë të klubit e pjesëtarëve të ekipit kavajas, nuk munguan as përfaqësues të bashkisë së qytetit dhe dy të deleguar nga FSHF-ja.

Zv.presidenti i institucionit më të lartë të futbollit në vend, Arben Dervishaj, dhe anëtari i Komitetit ekzekutiv, Abdyl Kuriu.

Gjatë fjalës së tij, zv.presidenti Dervishaj, pasi evokoi vlerat e Besës dha edhe garancinë se federata do të mbështeste çdo projekt të ardhur nga Kavaja.

BIZHDILI

Dihet që halli më i madh që futbolli kavajas sot ka, është mungesa e infrastrukturës. Një stadium i degraduar prej vitesh, i cili ende nuk është prekur zyrtarisht. Dhe atij që i dhemb më shumë kjo situatë, është Nexhat Bizhdili.

Presidenti gjatë fjalimit të tij, hapur kërkoi nga bashkia më shumë mbështetje për sigurimin e terreneve. Ai saktësoi se nga FSHF-ja ka shfaqur gatishmërinë për të investuar për 3 fusha.

Nuk la pa përmendur edhe vonesat pa fund në investimin në stadiumin “Besa”, duke e detyruar ekipin që ai drejton të luajë sa në Luz, Peqin e gjetkë. Federata e futbollit në mënyrë simbolike i dhuroi “Xhatit” një fanellë me numrin 97-të, që simbolizon historinë e Besës.

TITULLI

Në historikun e saj të gjatë, Besa është drejtuar nga disa trajnerë. Dhe një ndër ata që ka spikatur është edhe Muhamet Vila, ish–futbollist dhe trajner i Besës në vitet e arta të futbollit kavajas, ato ‘70-të. Në atë periudhë verdhezinjtë luanin në Kupat e Europës.

Për kontributin e dhënë për Besën, Bashkia Kavajë i akordoi Muhamed Vilës, pas vdekjes, titullin “Nderi i qytetit”, të cilin plot krenari e pranoi djali dhe vajza e tij, Arben dhe Engjëllushe Vila.

LIBRI

Pjesë e festimeve të këtij 97- vjetori, ishte edhe promovimi i librit më të ri të gazetarit Fatmir Efica. “Yjet e futbollit kavajas”, titullohet dhe ka vlerë për historiografinë dhe arkivat.

Ky cikël i parë përmbledh kontributin e disa prej tyre, që nga themeluesi Irfan Berati, Qamil Teliti, Demir Karriqi, Vasip Alushi, Alush Mërhori, Hasan Gërmani, Sali Duka, Qemal Gavardari, Allaman Idrizi, Shefqet Topi, Dhimitër Dimroçi, Xhavit Daiu, vëllezërit Selim dhe Esat Gjoçi e Agim Dizdari. Recensionin e këtij libri e bëri trajneri i njohur kavajas, Ndriçim Kashami.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"