Besa kërkon t’i ikë fundit, Pashja: S’ka më justifikime, e kemi detyrim të mundim Vorën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2023 | 12:08

Besa kërkon t’i ikë fundit, Pashja: S’ka më justifikime, e kemi detyrim të mundim Vorën

Besa nuk e ka shfrytëzuar shansin për të marrë tri pikë ndaj Kastriotit në javën e kaluar, kështu që sot do të kërkojë fitoren me çdo kusht ndaj një skuadre të fortë si Vora, në ndeshjen që do të luhet në orën 13:30 në stadiumin e Luzit. Sipas trajnerit të Besës, Lorenc Pashja, kavajasit e kanë detyrim t’i largohen fundit.

Pashja

“Përtej çdo justifikimi, qoftë ky edhe i drejtë, pozicioni që kemi aktualisht në klasifikim nuk i shkon Besës. Pas çdo sfide, kam thënë se nuk kam mbetur i zhgënjyer nga loja dhe angazhimi i lojtarëve të mi, por minutat e fundit të lojës, nuk na kanë dhënë ato pikë që kemi merituar. Ka ardhur momenti që secili të mendojë se Besa duhet t’i ikë sa më shpejt vendit që ka në tabelë”, ka thënë fillimisht Pashja për “Panorama Sport”.

Në takimin e parë hapës të këtij kampionati, vorakët mundën Besën 4-2, një rezultat që nuk iu përgjigj realisht asaj çfarë ekipet dhanë në fushë. Për Pashjen, ndaj Vorës nuk do jetë e lehtë, por me përkrahjen e tifozëve dhe të karikuar në maksimumin, ekipi do të fitojë.

“Në pozitat në të cilat ndodhemi, nuk kemi asnjë alternativë tjetër veç fitores. Gjatë ndërprerjes së kampionatit kemi punuar fort më shumë në aspektin psikologjik dhe për finalizimin e aksioneve. Tani ekipi është gati për takimin me Vorën. Ua kam bërë të qartë se fitorja vjen vetëm duke qenë të qetë, të saktë në rastet që krijojmë dhe mbi të gjitha të sigurtë në 15 minutat e fundit. Kemi pasur raste për t’i nisur ndeshjet me gol, por kemi shpërdoruar. Tashmë jo vetëm ndaj Vorës, por kujtdo na duhet të jemi të saktë dhe efikas para portës. Kam besim të plotë te grupi se mund t’ia dalim. Një fitore do të na ndihmonte psikologjikisht për të parë përpara”, përfundoi trajneri i Besës.

Pas 11 ndeshjesh, kavajasit lënë pas në tabelë vetëm Luzin e vendit të fundit, ndërsa një fitore sot ndaj Vorës, do t’i ngjiste direkt të shtatët në klasifikim.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"