Besa është përgatitur për “maloren”, Sulovari: Gati taktika për të ndalur kryesuesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2023 | 22:08

Besa është përgatitur për “maloren”, Sulovari: Gati taktika për të ndalur kryesuesit

Besa është përgatitur për “maloren”. Udhëtojnë në Ballsh, atje ku i pret një skuadër e pamposhtur. Njihet forca e Bylisit, por edhe etja e kavajasve për pikë. Edhe pse nuk janë të favorizuar, verdhezinjtë nuk udhëtojnë të dorëzuar. Këtë e thotë edhe mesfushori Henri Sulovari, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”:

besa

“Nuk kam unë nevojë t’i jap vlera Bylisit, pasi nuk janë kot në krye. Janë një grup që kanë vite bashkë dhe njohin lojën e njëri-tjetrit. I njohim dhe gjatë gjithë javës po përgatisim taktikën tonë. Kur luan ndaj kryesuesve, nuk është e lehtë për askënd. Por, Besa ka fanellën e rëndë dhe përvojën e duhur. Vërtet kemi disa luhatje rezultatesh, por loja nuk ka qenë e tillë. Në dy takimet e fundit ekipi ka arritur njëfarë harmonizimi dhe kthimi i Ramillit ka peshë jo të vogël në prapavijë.

Moralisht jemi mjaft mirë, pasi vijmë pas dy ndeshjesh me 4 pikë, aq sa nuk kishim marrë thuajse në disa javë. Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veçse në ‘Adush Muçaj’ të hyjmë të motivuar e të sakrifikojmë e besojmë deri në fund. Në futboll mund të ndodhë gjithçka, por ne duhet të bëjmë detyrat tona. Nëse secili bën atë që e ka udhëzuar trajneri, jep shpirtin në fushë, ia dalim”.

FERIZ FERIZAJ -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"