Bernardo Silva bën “mea culpa”, Pep Guardiola: E papranueshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2024 | 21:32

Bernardo Silva bën “mea culpa”, Pep Guardiola: E papranueshme

Bernardo Silva di sesi ta falë veten. Të mërkurën penalltia e humbur kundër Realit të Madridit, në të cilën portierit Lunin as që iu desh që të hidhej dhe hyri në listën e motiveve për të cilat Mançester Siti u eliminua nga Liga e Kampioneve që në çerekfinale. Por në “Uembli”, portugezi u bë motivi për të cilin skuadra e Guardiolës rikthehet në finalen e Kupës FA (në 25 maj kundër rivalëve të Mançester Junajtid), pasi firmosi golin e 1-0 në minutën e 84-ët kundër Çelsit.

guardiola

Mançester Siti, fituesi në fuqi i trofeut, nuk luajti ndeshjen e tij më të mirë. Nuk bëri asnjë rekord goditjesh si ndaj Realit, hasi në shumë rreziqe dhe i munguan idetë. Për këtë arsye, goli i Bernardos u bë edhe më i çmuar. Çelsi provoi, i udhëhequr nga Kol Palmer dhe luajti aspak si inferior ndaj “qytetarëve”, madje kishte edhe kontrollin e lojës. Por në fund shpërdoroi dhe ajo që ka rëndësi janë golat. Këtë blutë e Londrës nuk e bënë dot. Dhe shpresa për të arritur në finalen e Kupës FA me këtë grup si rruga e duhur për të shkuar përpara, u shua përpara 81 mijë tifozëve në “Uembli”.

GUARDIOLA – Pep Guardiola bëri një sulm për kalendarin e Mançester Sitit pasi skuadra e tij u kualifikua në finalen e Kupës FA. Trajneri i Sitit ishte i tërbuar për diferencën prej 66 orësh nga çerekfinalja e Champions-it kundër Realit te gjysmëfinalja e Kupës FA. “Është e papranueshme. Pavarësisht se kam fituar, unë kam guximin që t’ua them. Për shëndetin e lojtarëve nuk është normale. Nuk e kuptoj sesi mbijetuam sot. Përse luajmë sot dhe jo nesër, kur Koventri, Çelsi dhe Junajtid nuk luajtën në mesjavë? Përse të mos kemi një ditë më shumë pushimi për shëndetin e lojtarëve? Më thoni si ta përgatitësh këtë finale kundër Çelsit në momentin më të mirë të sezonit? Si? Është e pamundur, nuk ka asnjë shans”.

Ai shtoi me sarkazëm: “Sinqerisht, unë e di që ky vend është special për shumë gjëra”. 53-vjeçari vendosi që pas ndeshjes me Çelsin t’i japë skuadrës dy ditë pushimi. Ai shtoi se Premier Liga, Federata Angleze, UEFA dhe FIFA refuzojnë që t’i dëgjojnë thirrjet dhe shqetësimet e trajnerëve për shëndetin e futbollistëve. “A mendoni se kërkesat tona do të ndryshojnë diçka? E vetmja fuqi që unë kam është të qëndroj këtu. Nuk do të ndryshoj asgjë, e di këtë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"