Bellai në prag të duelit me Flamurtarin: Bylisi ia del, mbetemi të pamposhtur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2023 | 9:22

Bellai në prag të duelit me Flamurtarin: Bylisi ia del, mbetemi të pamposhtur

Bylisi vijon përgatit jet për kryendeshjen e kësaj jave ndaj Flamurtarit nesër në orën 13:30 në Ballsh, në stadiumin “Adush Muçaj”. Bellai

Një duel mjaft i fortë, që sheh përballë dy rivalë për t’u ngjitur në Superiore. Trajneri Arian Bellai, sikurse edhe në Burrel, do t’i ketë thuajse të gjithë lojtarët gati, me përjashtim të Ruçit, i cili u ndëshkua me të kuq në ndeshjen e fundit. Kreu i stolit mallakastriot ka folur për “Panorama Sport” para kësaj sfide, ku duket mjaft optimist për një rezultat pozitiv. Sipas tij, skuadra reagoi në Burrel dhe në këtë periudhë mjaft të shkurtër kohe do të përpiqet që bashkë me djemtë, të bëjnë më të mirën për të marrë maksimumin edhe ndaj Flamurtarit. Atmosfera në Ballsh duket optimiste dhe mbështetja pritet të jetë e madhe për skuadrën e zemrës, në synimin për të mbetur të pathyeshëm.

Bellai, nga Burreli në Ballsh, teksa në radhë është Flamurtari. Si e keni përgatitur këtë ndeshje?

Po tregohemi të matur edhe për shkak të kalendarit. Jemi duke i marrë sfidat një e nga një dhe unë mendoj se kemi bërë dhe po bëjmë mirë. Fituam në Burrel, mund të bënim edhe më mirë, por edhe terreni, që u rëndua, na penalizoi disi. Megjithatë, nga e enjtja e kemi harruar atë sfidë, sepse na presin takime më delikate dhe gara sa vjen e bëhet më e fortë. Sfida e radhës me Flamurtarin është delikate dhe e vështirë, për vetë pozitat që ne kemi në renditje. I respektojmë vlonjatët, por luajmë në shtëpinë tonë dhe kërkojmë më të mirën.

Në Vlorë fituat në fazën e parë. Si e prisni në kthim?

Nga eksperienca ime si trajner, ndeshja nga ndeshja ndryshon. Kështu që edhe kjo sfidë nuk na gjen si më parë. Në Vlorë ishte java e dytë, nuk them dhe nuk dua ta zbeh atë fitore, por ishte vetëm fillimi i kampionatit. Tashmë kemi ndryshuar shumë si ekipe. Ne jemi në vend të parë, por edhe Flamurtari është rritur shumë dhe ka oreks për pikë. Unë i njoh mirë të dyja klubet e them me bindje se është një si derbi.

Sa të vështira janë duelet ndaj kundërshtarëve të tillë?

Është një derbi dhe luajmë në shtëpi, kështu që duhet të japim gjithçka që ne ta fitojmë këtë takim. Flamurtari është rivali ynë dhe ne duhet që me këtë fitore të thellojmë akoma më shumë diferencën. Skuadra është shumë mirë sa i përket aspektit psikologjik. Kam besim se edhe me mbështetjen e madhe që do të kemi në stadium, do të fitojmë dhe do të bëjmë një ndeshje që do të flasë në favorin tonë.

Nuk keni pësuar ende asnjë humbje. Çfarë tregon kjo ecuri?

Kjo tregon punën e mirë që është bërë nga të gjithë, duke nisur nga presidenca, çdo pjesëtar i stafit, djemtë padyshim, stafi mjekësor e çdokush që është pjesë e këtij klubi, përfshi këtu edhe tifozët. Derisa jemi në këtë rrugë do të thotë që jemi më të mirët, por llogaritë bëhen në fund dhe derisa gara vijon, ne duhet që javë pas jave të fitojmë e të mbetemi të pathyeshëm, por edhe të parët. Për mendimin tim gara ka edhe shumë ndeshje dhe renditja është provizore.

Çfarë porosie u keni dhënë djemve për sfidën e sotme?

Të luajnë dhe të japin maksimumin. Të shohim në sy Flamurtarin në fushën e lojës. Ne jemi Bylisi dhe deri tani kemi qenë skuadra për t’u mundur. Të bëjnë atë që ata japin nga vetja dhe të shfaqin më të mirën e tyre. Unë kam besim, pasi bashkë kemi nisur një projekt dhe kemi marrë përsipër një mision të vështirë për ta rikthyer Bylisin në elitë. Kjo edhe për ata është si një reklamë për t’u rritur profesionalisht. Ne kemi shumë elementë të talentuar, kështu që të ndezim motorët për këtë sfidë dhe ta fitojmë, pse jo…

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"