Bellai largon presionin nga ballshiotët: Bylisi kryesues absolut, Luzin e vlerësojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2024 | 9:38

Bellai largon presionin nga ballshiotët: Bylisi kryesues absolut, Luzin e vlerësojmë

Bylisi udhëton me synim të qartë sot drejt Vorës, ku do të luajnë transfertën me Luzi 2008, në orën 14:00.

BELLAI

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Arian Bellai ka besim se ballshiotët do të kthehen me 3 pikët në xhep. Sipas trajnerit, sfida të tilla janë më të forta sepse kundërshtarët nuk kanë se çfarë të humbasin në këtë fazë.

Pas Tomorit, transferta kundër Luzit. Si shikoni Bylisin në këtë duel?

Nuk ka ndeshje të lehtë. Dominuam me Tomorin, por duhet të kishim shënuar më shumë. Edhe takimi i radhës me Luzin është delikat dhe e dimë se pret një duel i fortë. Ashtu si Tomori, Luzi është në pozita jo komode dhe do të kërkojë të na ndalë duke bërë llogaritë e veta.

Një start favorizues për Bylisin në fazën e tretë…

Nuk ka kohë për të analizuar nëse na favorizon kalendari, sepse është faza më delikate e garës dhe do t’i quaja javët me delikate. Ekipet luajnë shanset e tyre të fundit dhe duan të grumbullojnë pikët e plota. Ne kemi punuar shumë edhe në aspektin psikologjik. Luzin e shoh si rival dhe jo si skuadër që renditet në fund, madje kanë ekip simpatik dhe të hapin punë.

Cila është gjendja e skuadrës për këtë sfidë?

Skuadra është e plotë dhe grupi është kompakt. Si klub kemi menduar që të na presë një garë e gjatë. Jo pa qëllim janë bërë disa afrime dhe në janar. Bylisi i ka mundësitë të përballojë me suksese gjithë sezonin dhe të realizojmë me sukses objektivat që kemi.

A e ndjeni presionin e rivalëve?

Siç kemi ne presion, kanë edhe rivalët. Edhe ata ndihen të kërcënuar nga ekipet që i ndjekin, por kjo nuk më intereson. Deri më tani kemi parë punën tonë dhe e kemi menaxhuar më së miri. Këtë e ka treguar ecuria jonë në kampionat. Kemi qenë dhe jemi kryesuesit absolutë, por bilancet do t’i bëjmë mirë në fund. Tani e ka radhën Luzi…

Bellai, fusha e Vorës ju ka sjellë fat e prisni edhe sot ndaj Luzit?

Ne e presim më shumë suksesin nga vetja, ndaj duhet të bëjmë maksimumin dhe të japim më të mirën. Kemi skuadër dhe lojtarë me eksperiencë, të cilët duhet të bëjnë diferencën dhe të na çojnë te suksesi në këto javë delikate.

ERION SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"