Bejo karikon Tomorin: Mundim Korabin dhe tentojmë elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2023 | 20:52

Bejo karikon Tomorin: Mundim Korabin dhe tentojmë elitën

Tomori sheh vetëm fitore me Korabin. Dhe kanë një “mal” me arsye për të kërkuar këtë. Fillimisht duan kthesën në stadiumin e tyre, së dyti duan të blindojnë vendin e 4-t dhe së treti të kënaqin tifozët në të fundit ndeshje që luajnë në shtëpi. Këtë plan e konfirmon edhe drejtori teknik i beratasve. Teksa flet për “Panorama Sport”, Avenir Bejo thotë:

TOMORI

“Duam që të tregojmë forcën tonë përballë Korabit. Një fitore do të na mbante në vendin e katërt dhe nuk duam që ky shans të na ik nga duart. Gjithashtu, do t’i japim një mesazh të qartë kundërshtarëve tanë. Tomori do të vijojë rrugën drejt elitës edhe nëpërmjet fazës ‘play off’. Rruga do të jetë e gjatë dhe stresuese, por aspak e pamundur.

Skuadra është vërtet e karikuar dhe e do kaq shumë këtë gjë. Kjo më jep shpresë. Kam edhe një kërkesë për tifozët tanë. Pres që jetë sa më e madhe në numër në stadium. Duam mbështetje të fuqishme në këtë ndeshje, që duam kaq shumë ta fitojnë.

I siguroj, se ndryshe nga kalendari, për Tomorin ndeshja me Korabin nuk do të jetë e fundit në shtëpi në këtë sezon futbollistik. Minimalisht do të kemi edhe një tjetër ndeshje në fazën ‘play off’, e cila sigurisht që kalon nëpërmjet fitores së kësaj jave me Korabin”, ka përfunduar drejtori teknik i beratasve, Bejo.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"