“Bëjmë surprizën në Korçë”, Repaj: E mundim Skënderbeun me qetësi… olimpike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 20:05

“Bëjmë surprizën në Korçë”, Repaj: E mundim Skënderbeun me qetësi… olimpike

Apolonia nuk ka në plan të ndalet, kërkon vazhdimësinë. Edhe pse luajnë në Korçë, llogaritë i bëjnë me pikë.

REPAJ SERJAN

Këtë e thotë edhe mbrojtësi Serjan Repaj, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”. Ai mendon se nuk kanë pse të luajnë me stres dhe kjo qetësi do të japë patjetër rezultat.

Sa ju ndihmoi kjo ndërprerje e garës?

Na shërbeu për mirë, sa i takon rikuperimit të disa problemeve fizike. I kaluam më së miri gjatë këtyre ditëve dhe njëkohësisht punuam shumë në drejtimin tonë psikologjik. Na është rikthyer vetëbesimi si kurrë më parë dhe sigurisht duam të ruajmë ecurinë e fitoreve të fundit. Jemi ende më të fortë dhe më të bashkuar si grup.

Të premten luani në Korçë, jeni gati?

Transfertat nuk janë të lehta, aq më pak ajo e Korçës. Por, Apolonia nuk është më ajo e javëve të para. Luajmë shumë më mirë, marrim më shumë pikë dhe jemi pengesë e vërtetë për cilindo kundërshtar. Ndeshje shumë e vështirë, por aspak e pamundur. Nuk do ta marrim ndeshjen me shumë stres, gjithashtu kemi e po largojmë presionin e rezultatit pozitiv. Hyjmë me qetësi olimpike në fushë për të bërë e marrë më të mirën.

A mendoni se presioni mund t’ua vështirësojë ndeshjen?

Nga skuadra e vendit të parë e deri tek ajo e vendit të fundit, të gjitha pa përjashtim kanë presion, kush më shumë e kush më pak. Kemi kontingjentin e duhur të lojtarëve për të mos e ndalur këtu formën e mirë të Apolonisë. Fitoret e fundit nuk vlejnë aspak nëse nuk vijojmë me ecurinë pozitive. Ende janë 18 pikë në lojë, që mund të të ngjisin shumë lart ose mund të të zbresin shumë poshtë në tabelën e renditjes. Shkurt, qartë e pastër, ne nuk do të shëtisim në Korçë, por do të bëjmë surprizën e madhe.

Pranë zonës “play off”, aq dhe afër rikthimit në zonën “play out”. Ku do të renditeni në fund të këtij sezoni?

Ne po punojmë shumë, për të ringritur Apoloninë. Gjashtë finalet e mbetura vulosin gjithçka, prandaj Apolonia është e qetë, shumë e motivuar dhe njëkohësisht e karikuar për të qenë ku e meriton.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"