BASKETBOLL/ Triumfe treshifrore për Tiranën dhe Besëlidhjen, kampionët argëtohen ndaj Fierit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2023 | 11:05

BASKETBOLL/ Triumfe treshifrore për Tiranën dhe Besëlidhjen, kampionët argëtohen ndaj Fierit

Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka mbyllur takimet e javës së gjashtë, me tri përballje të zhvilluara të shtunën. Fitore treshifrore për Tiranën dhe Besëlidhjen, të cilat kaluan lehtësisht sfidat respektive kundër Fierit dhe Apolonisë. Javë pozitive edhe për Vllazninë që mundi Flamurtarin në Shkodër.

tirana basket

SHOU BARDHEBLU – Vetëm dy ditë pasi ngritën lart trofeun e Superkupës, kryeqytetasit zbritën në parket për ndeshjen e radhës në kampionat, teksa përballë kishin Fierin në “Farie Hoti”. Ashtu sikurse edhe pritej, Tirana nuk e pati aspak të vështirë për të marrë fitoren dhe këtë e bëri madje në shifra shumë të thella.

Bardheblutë e Erkand Karajit triumfuan me rezultatin treshifror 104- 54, në një ndeshje të dominuar tërësisht. Kampionët në fuqi shtypën “turbon” që në start, duke krijuar menjëherë shkëputje në pikë, për ta fituar periodën e parë 29-11.

Tirana luan mjaft mirë edhe në çerekun e dytë, ndërsa skuadra fierake e kë të vështirë ti përgjigjet ritmit të vendësve. Kështu kryeqytetasit e fitojnë periodën 27-7, duke shkuar në pushimin ndërmjet dy pjesëve me avantazhin e përgjithshëm 56-18.

Gjysma e dytë e takimit mbetet një formalitet, me Tiranën që fiton 27-15 në periodën e tretë, për ta ulur disi ritmin vetëm në 10 mimutëshin e fundit, fraksion që mbyllet 21-21.

Kështu 21 herë kampionët e Shqipërisë e mbyllin sfidën me +50 avantazh, duke u pozicionuar në vend të parë. Për sa u përket paraqitjeve individuale, Endrit Hysenagolli ishte lojtari i ndeshjes, duke regjistruar 26 pikë, 18 kërcime dhe 1 asist në rreth 23 minutat që qëndroi në parket.

Për bardheblutë shkëlqeu gjithashtu edhe amerikani Myles, autor i 20 pikëve, 13 kërcimeve dhe i 1 asisti. Për Fierin, skuadër debutuese që drejtohet nga Hermiona Çuko, lojtari me rendimentin më të lartë ishte amerikani Anyanwu me 21 pikë, 12 kërcime dhe 4 asistime.

01

BESËLIDHJA, E PAMPOSHTUR – Lezhjanët e Afrim Bilalit kanë shënuar fitoren e pestë, duke vijuar të jenë ekipi i vetëm i pamposhtur në kampionat. Triumfi i radhës për Besëlidhjen këtë herë erdhi në transfertën përballë Apolonisë me rezultatin treshifror 74-108.

Një takim pa histori, të cilin miqtë e komanduan nga fillimi e deri në fund. Pas një serie gabimesh nga të dyja ekipet në minutat e para, Besëlidhja e korrigjoi shënjestrën për ta fituar periodën e parë 15-27.

Skuadra veriore e thellon edhe më shumë epërsinë, duke fituar 13-26 në periodën e dytë, për të shkuar në pushim më avantazhin 28-53. Çereku i tretë është më i ekuilibruar, fraksion që mbyllet 21-20 për Apoloninë, ndërsa pas 30 minutash lezhjanët udhëheqin 49-73.

Ashtu sikurse ka ndodhur thuajse në të gjithë ndeshjet, Besëlidhja e ruajti freskinë përgjatë të gjithë lojës, për ta fituar periodën e katërt 25-35, duke hipotekuar suksesin me +34 pikë në shifra të përgjithshme.

Gjashtë lojtarë të skuadrës mike prekën dopioshifër pikësh, ndërsa MVP u shpall Julian Hamati me 23 pikë, 14 kërcime dhe 6 asistime, i mbështetur nga amerikani Marquardt me 28 pikë, i cili ishte edhe shënuesi më i mirë i takimit. Për Apoloninë nuk mjaftuan amerikanët: Jones me 16 pikë e 11 kërcime, Hamilton me 19 pikë e 9 kërcime si dhe Bourne me 23 pikë.

04

SHKËLQEJNË KUQEBLUTË – Vllaznia ka marrë suksesin e tretë sezonal, teksa ka mundur në shtëpi Flamurtarin me rezultatin 87-72 (26- 13, 22-20, 16-15, 23-24). Kuqeblutë e trajnerit Damian Bekteshi krijuan një epërsi prej 15 pikësh në gjysmën e takimit, për ta administruar avantazhin deri në fund.

Pesë basketbollistë të Vllaznisë shkuan në dopioshifër pikësh, ndërsa lojtari i ndeshjes ishte amerikani Saab me tripletë dyshifrore: 13 pikë, 10 kërcime dhe 10 asistime. Edhe në radhët e Flamurtarit më i miri ishte një amerikan, Wilkins, autor i 27 pikëve, 9 kërcimeve dhe 2 asistimeve.

03

Në dy takimet hapëse të javës së gjashtë të zhvilluara të premten, Teuta shkatërroi Skënderbeun në shifrat 137- 75, ndërsa Kamza dominoi Elbasanin, duke e mundur me rezultatin 115-77.

02

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"