BASKETBOLL/ Triumf në Elbasan, Teuta shkëlqen me +13 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2023 | 11:50

BASKETBOLL/ Triumf në Elbasan, Teuta shkëlqen me +13 pikë

Teuta ka mundur El basanin në ndeshjen hapëse të javës së pestë të kampionatit kombëtar në basketboll për meshkuj. Durrsakët e Nikola Milatoviçit triumfuan me rezultatin 62-75 në sfidën e luajtur mbrëmjen e djeshme në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”. Kjo ishte fitorja e dytë radhazi dhe e treta në pesë ndeshje në kampionat për bregdetarët. Ndërsa Elbasani, pas një starti me tri takimet e para të fituara, regjistron humbjen e dytë radhazi.

teuta basket

NDESHJA – Elbasani e nisi më mirë takimin, teksa skuadra e Fabian Gjukës ishte gjatë të gjithë kohës në kryesim në periodën e parë, për ta fituar 10-minutëshin me rezultatin 19-13.

Teuta e përmirësoi lojën në periodën e dytë, si në mbrojtje gjithashtu edhe në sulm, duke e fituar këtë fraksion 14-19, ndërsa ekipet shkuan në pushim me avantazhin minimal të vendësve 33-32.

Me rikthimin në parket durrsakët kanë tjetër marsh dhe nisin të dominojnë në çdo aspekt, për ta fituar periodën e tretë thellë 12-23, duke kryesuar 45-55 pas 30 minutash lojë.

Me gjithë përpjekjet e Elbasanit në çerekun e fundit, Teuta e administron më së miri epërsinë, për ta fituar edhe periodën e katërt 17-20, duke vulosur suksesin final me 13 pikë diferencë, 62-75.

Katër lojtarë të durrsakëve prekën kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa rendimentin më të lartë e kishin amerikani Patrick Bacon me 23 pikë, 6 kërcime dhe 4 asiste, si dhe kapiteni Kristi Gorea, autor i 18 pikëve dhe 4 kërcimeve, duke qëndruar 40 minuta në parket.

Për Elbasanin nuk mjaftoi Yaradyah Evans, protagonist me 17 pikë, plot 23 kërcime dhe 1 asist. 17 pikë edhe për amerikanin tjetër, Mitchell McDonald, me verdheblutë që pësojnë kështu disfatën e parë sezonale në shtëpi.

7898

Java e pestë do të kompletohet sot me katër ndeshjet e mbetura: Skënderbeu-Tirana, Fieri-Besëlidhja, Partizani-Kamza dhe Flamurtari-Apolonia.

87897

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"