BASKETBOLL/ Tirana përballë Teutës, sot finalja e Superkupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2023 | 10:25

BASKETBOLL/ Tirana përballë Teutës, sot finalja e Superkupës

Tirana dhe Teuta do të zbresin sot në parket për finalen e Superkupës në basketboll për meshkuj, takim që do të startojë në orën 17:30 në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës. Bardheblutë e Erkand Karajit vijnë në këtë ndeshje nën petkun e kampionëve në fuqi, ndërsa bregdetarët e Nikola Milatoviçit si fitues të Kupës, teksa pritet një përballje emocionuese, ashtu sikurse kanë rezultuar gjithnjë sfidat ndërmjet kryeqytetasve dhe durrsakëve gjatë viteve të fundit.

teuta tirana basket

TIRANA – Bardheblutë janë ekipi rekordmen për sa u përket sukseseve në Superkupë, kompeticion që ka nisur të mbahet që prej vitit 1999 në Shqipëri. Tirana regjistron tetë trofe të Superkupës, me triumfin e fundit që daton në vitin 2017, me finalen e fituar përballë Vllaznisë. Për sa i përket formës aktuale, kryeqytetasit po kalojnë një moment të mirë, ndërsa vijnë në këtë sfidë pas katër fitoreve radhazi në kampionat dhe më një humbje të pësuar në javën e parë kundër Apolonisë në Fier.

Ndërkohë bardheblutë do të kërkojnë gjithashtu që të prishin edhe “mallkimin” e Superkupës kundër Teutës, teksa kanë humbur katër finalet e fundit radhazi në këtë kompeticion, pikërisht ndaj durrsakëve.

TEUTA – “Djemtë e detit” janë fitues në fuqi të Superkupës, teksa mbajnë këtë trofe që prej vitit 2018 dhe deri më sot, me 4 suksese, ndërsa siç dihet në vitin 2020 ky kompeticion nuk është zhvilluar.

Teuta ka qenë protagoniste absolute në basketbollin shqiptar gjatë viteve të fundit, por sezoni 2023-2024 për durrsakët ka nisur me luhatje. Në pesë ndeshje të zhvilluara deri më tani në kampionat, bregdetarët kanë fituar tri dhe kanë humbur dy.

Por në Superkupë, Teuta do të ketë avantazhin e fushës, pasi do të luajë para publikut durrsak, që i është përgjigjur rregullisht ekipit në ndeshje të rëndësishme, duke qenë i shumtë në numër.

KËRKESA E DURRSAKËVE – Në prag të finales së Superkupës klubi durrsak i është drejtuar me një kërkesë Federatës Shqiptare të Basketbollit që kjo sfidë të arbitrohet nga gjyqtarë ndërkombëtarë. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë presidenti i Teutës, Arqile Gorea, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”.

“Kjo ndeshje është kulmore e garave të këtij viti dhe në mes është një trofe. Bëhet fjalë për një finale ku përballen dy kampionët e basketbollit shqiptar. Pretendimi ynë është që kualitetit i arbitrimit duhet të jetë maksimal dhe gjyqtarët për këtë ndeshje duhet të jenë ndërkombëtarë”, deklaron Gorea, i cili më pas shton:

“Nuk duhet të ndodhë si rasti i ndeshjes që patëm disa javë më parë në Shkodër kundër Vllaznisë. Ai arbitrim na kushtoi një ndeshje. Ne nuk na intereson nëse dënohet arbitri, të cilit mirë ia bënë që e dënuan dhe për mua nuk duhet të arbitrojë më, por ne e humbëm ndeshjen. Kështu që kërkojmë që të mos përsëritet i njëjti skenar edhe në finalen e Superkupës”, përfundon Gorea.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"