BASKETBOLL/ Prishtina fiton Ligën Unike për femra, Tirana merr medaljen e bronzit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2024 | 10:41

BASKETBOLL/ Prishtina fiton Ligën Unike për femra, Tirana merr medaljen e bronzit

Prishtina është shpallur kampione në Ligën Unike të basketbollit për femra. Kryeqytetaset kanë fituar mbrëmjen e djeshme ndaj Bashkimit në finalen e madhe të kompeticioneve mbarëkombëtare, duke festuar në shtëpinë e tyre, aty ku dhe u mbajt faza “Final 4”.

prishtina

Prishtina triumfoi me rezultatin e thellë 49-82 (16- 20, 6-16, 16-19, 11-27) në një ndeshje të dominuar nga fillimi e deri në fund. Bashkimi u ndal në momentin kur duhej të bënte hapin e fundit drejt trofeut, pas një sezoni perfekt duke i fituar të gjitha ndeshjet. Prizrenaset bënë një paraqitje zhgënjyese, duke luajtur dobët si në sulm gjithashtu edhe në mbrojtje. Diferencën në parket për Prishtinën e bënë meksikania Luna Castro me 21 pikë dhe 10 kërcime si dhe amerikanet Johnson me 27 pikë e 10 kërcime dhe Williams me 13 pikë. Për Bashkimin nuk mjaftoi Mgbeike, autore e 22 pikëve. Në fund e gjithë festa ishte për skuadrën prishtinase, që i gëzohet titullit të dytë kampion në Ligën Unike, pasi atij të fituar dy sezone më parë.

Dje u zhvillua gjithashtu edhe finalja për vendin e tretë ndërmjet Tiranës, skuadrës së vetme nga Shqipëria në “Final 4” dhe Penzës. Vajzat bardheblu bënë një ndeshje të shkëlqyer, duke fituar me rezultatin e thellë 78-59 (16-14, 21-15, 23-11, 18-19), sukses që u dha kryeqytetaseve medaljet e bronzta në kompeticionin mbarëkombëtar. Vajzat e trajneres Mirza Alibegaj e kontrolluan lojën gjatë të gjithë kohës, duke mos e vendosur për asnjë moment në dyshim fitoren. Pesë lojtarë të Tiranës realizuan mbi 10 pikë, ndërsa efikasitetin më të lartë e kishte Molina Sosa me 17 pikë dhe 15 kërcime. Në radhët e pejaneve u dallua Saranda Daci, autore e 25 pikëve dhe 14 kërcimeve.

Kështu Liga Unike ul siparin e edicionit të tretë, një sezon që u dominua nga ekipet e Kosovës, ndryshe nga një vit më parë kur kishim një finale tërësisht nga Shqipëria ndërmjet Partizanit dhe Flamurtarit, me suksesin e të kuqeve.

bask

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"