Basketboll meshkuj+femra/ Më të mirët e javës, shkëlqejnë Bernarda Rreshpja dhe Alban Çela

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2023 | 17:15

Basketboll meshkuj+femra/ Më të mirët e javës, shkëlqejnë Bernarda Rreshpja dhe Alban Çela

Bernarda Rreshpja e Vllaznisë dhe Alban Çela i Elbasanit, janë shpallur lojtarët më të mirë të javës në kampionatet kombëtare të basketbollit për femra dhe meshkuj, teksa kanë shënuar rendimentin më të lartë sipas statistikave zyrtare të FSHB-së.

2

MESHKUJT – Në kampionatin kombëtar të meshkujve u zhvilluan ndeshjet e javës së tetë. Vlerësimi MVP për këtë javë ka shkuar për Alban Çelën e Elbasanit, i cili shkëlqeu në ndeshjen që verdheblutë zhvilluan në shtëpi kundër Flamurtarit, ndonëse skuadra e tij u mund nga vlonjatët me rezultatin 79-83. Çela regjistroi dopietë dyshifrore me 38 pikë dhe 13 kërcime, duke i shtuar edhe 2 asistime, për të shënuar indeksin 45. Në këtë javë spikatën edhe dy lojtarët e Teutës, Kristi Gorea dhe Patrick Bacon, të cilët bëjnë pjesë në top-5. Kapiteni regjistroi 19 pikë, 16 kërcime, 6 asistime dhe indeks 38, ndërsa amerikani 31 pikë, 4 kërcime dhe 6 asistime, me indeksin 38. Më tej formacioni më i mirë vijon me Dyquavis Wilkins të Flamurtarit (38 pikë, 12 kërcime, indeksi 35) dhe Craig Saab të Vllaznisë (21 pikë, 9 kërcime, 12 asistime, indeksi 35), teksa amerikani i kuqebluve “flirtoi” me tripletën dyshifrore.

1

FEMRAT – Në radhët e femrave janë luajtur takimet e javës së shtatë, javë që shënoi edhe fundin e fazës së parë. Bernarda Rreshpja ishte basketbollistja me rendimentin më të lartë, duke bërë një paraqitje fantastike në fitoren 52-77 që Vllaznia mori në transfertë përballë Elbasanit. Lojtarja e talentuar kuqeblu regjistroi 40 pikë, 6 kërcime dhe 1 asistim, duke fiksuar indeksin 43, më të lartin javës, për të merituar vlerësimin MVP. Më tej formacioni më i mirë plotësohet nga Luna Luca e Tiranës (26 pikë, 23 kërcime, 1 asistim, indeksi 37), Ornela Lalaj e Partizanit (19 pikë, 13 kërcime, 4 asistime, indeksi 29), Asia Henderson e Flamurtarit (17 pikë, 17 kërcime, 2 asistime, indeksi 26) dhe Alexus Davis e Teutës (16 pikë, 13 kërcime, 1 asistim, indeksi 24).

0

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"