BASKETBOLL MESHKUJ/ Ylli-Trepça, finalja e madhe e Ligës Unike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2024 | 11:59

BASKETBOLL MESHKUJ/ Ylli-Trepça, finalja e madhe e Ligës Unike

Ylli dhe Trepça janë skuadrat finaliste të Ligës Unike Lajthiza për vitin 2024. Therandasit dhe mitrovicasit kanë kaluar me sukses dje provat e gjysmëfinaleve, duke fituar përkatësisht ndaj Pejës dhe Prishtinës, ndërsa të dielën do të matin forcat për trofeun. Ky edicion i Ligës Unike po zhvillohet në formatin “Final 8”, me aktivitetin mbarëkombëtar të basketbollit për meshkuj që po mbahet në Vlorë që prej datës 27 mars.

liga unike

YLLI-PEJA – Gjysmëfinalja e parë vendosi përballë Ylli dhe Pejën, përkatësisht ekipet kampione të edicionit të parë dhe të dytë të Ligës Unike. Skuadra nga Theranda arriti të fitonte me rezultatin e thellë 91-62, duke u bërë finalistja e parë e këtij sezoni në aktivitetin mbarëkombëtar. Pas një pjese të parë shumë të luftuar, Ylli e bëri diferencën në gjysmën e dytë të takimit, duke hipotekuar suksesin. Kështu takimi nisi me epërsi të lehtë nga Ylli, që e fitoi më pas periodën e parë me rezultatin 18-15. Në çerekun e dytë loja ishte më e luftuar, teksa perioda u mbyll në baraspeshë 20-20, ndërsa ekipet shkuan në pushimin e madh me rezultatin 38-35 në favor të Yllit. Therandasit e fillojnë më mirë edhe periodën e tretë, por Peja reagon ndërsa pas rreth 26 minutash lojë rezultati në tabelë shënonte barazim 51-51. Por në minutat e fundit të periodës së tretë, Ylli shpërthen duke nisur edhe arratinë. Kështu perioda e tretë mbyllet 29-18 për Yllin, që udhëheq 67-53 pas tre fraksionesh lojë. Çereku i fundit nuk ka histori, teksa Ylli dominon në çdo aspekt, duke fituar 24-9, për ta vulosur suksesin final me +29 pikë avantazh. Alonzo Verge Jr ishte më i miri te Ylli me 34 pikë, 4 kërcime e 8 asistime, ndërsa te Peja spikati Justin Davis me 19 pikë e 11 kërcime.

TREPÇA-PRISHTINA – Pas një beteje të fortë në parket Trepça mundi Prishtinën me rezultatin 83-80, duke iu gëzuar për herë të parë kalimit në finalen e Ligës Unike. Ndeshja filloi me ritëm shumë të mirë në sulm nga të dyja ekipet, teksa Prishtina triumfoi 24-28 në periodën e parë. Në çerekun e dytë erdhi reagimi nga Trepça, që e mori periodën 27-18, duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin 51-46. Kryeqytetasit bënë disi më mirë në periodën e tretë, duke fituar 19-22, ndërsa pas 30 minutash rezultati i përgjithshëm shënonte 70-68 për Trepçën. Çereku i fundit ishte një thriller i vërtetë, duke e lënë hapur ndeshjen deri në sekondat finale, por Trepça u tregua më e saktë, teka e fitoi periodën 13-12, duke e mbyllur me 3 pikë avantazh të gjithë takimin. Devonte Upson me 16 pikë dhe 11 kërcime ishte lojtari me efikasitetin më të lartë në suksesin e mitrovicasve, ndërsa për prishtinasit u dallua Donte Clark, autor i 24 pikëve.

Tashmë të dielën në Vlorë do të jepet trofeu, teksa Ylli dhe Trepça do të matin forcat në orën 19:00. Më herët në orën 16:00 do të luhet finalja e vogël për vendin e tretë ndërmjet Pejës dhe Prishtinës. Kujtojmë që në Ligën Unike morën pjesë edhe Tirana, Besëlidhja, Teuta dhe Kamza, por të gjitha ekipet e Shqipërisë u eliminuan në çerekfinale, duke konfirmuar hendekun e madh në basketboll mes Shqipërisë dhe Kosovës. Lezhjanët e Afrim Bilalit iu afruan më tepër gjysmëfinaleve, por u përmbysën në sekondat e fundit nga Prishtina.

lig

fin

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"