BASKETBOLL MESHKUJ/ Vllaznia shkëlqen në Elbasan, sot supersfida Besëlidhja-Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2024 | 12:08

BASKETBOLL MESHKUJ/ Vllaznia shkëlqen në Elbasan, sot supersfida Besëlidhja-Tirana

Vllaznia e ka mbyllur me një fitore të bukur në transferte sezonin e rregullt në kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkujt. Kuqeblutë triumfuan dje me rezultatin treshifror 98-113 kundër Elbasanit, takim i vlefshëm për javën e 22-të.

vllaznia basket 2

Skuadra e Damian Bekteshit nuk e diskutoi për asnjë moment suksesin në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”. Shkodranët e nisën me ritëm shumë të lartë në sulm, duke e konkretizuar me avantazhin 22- 35 në periodën e parë. Çereku i dytë ishte më i rivalizuar, por sërish foli për miqtë, të cilët fituan 20-23, duke e thelluar epërsinë 42-48 pas gjysmës së takimit. Edhe me rikthimin në parket për pjesën e dytë Vllaznia mbajti efikasitet të lartë, sidomos në fazën sulmuese, për të fituar 24-31 në periodën e tretë, duke kryesuar 66-89 pas 30 minutash lojë.

Çereku i fundit ishte më tepër për statistikë, me Elbasanin që e fitoi 10 minutëshin 32-24, ndërsa në shifra të përgjithshme suksesi u takoi shkodranëve me +15 pikë diferencë. Plot 7 lojtarë të Vllaznisë mbërritën në dopioshifër pikësh, ndërsa eficencën më të lartë e kishte amerikani Dyquavis Wilkins, autor i 18 pikëve, 12 kërcimeve dhe 5 asistimeve. Për Elbasanin spikatën Samuel Skëndaj me 25 pikë e 10 kërcime si dhe Bruno Skëndaj me 33 pikë e 7 kërcime.

Me këtë fitore Vllaznia ngjitet momentalisht në vend të tretë dhe do ta nisë “play off”-in nga çerekfinalet, ndërsa Elbasani e mbyll në vend të nëntë. Java e 22-të do të mbyllet sot me ndeshjen Besëlidhja-Tirana, në orën 18:00, në “Asllan Rusi”. Lezhjanët kryesojnë me pikë të plota, ndërsa bardheblutë do të tentojnë t’u shkaktojnë humbjen e parë në kampionat. Në rast suksesi Tirana do të ngjitej në vend të dytë, duke siguruar gjysmëfinalet, ndërsa në të kundërt vendi i dytë do t’i mbetej Teutës.

vll

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"