BASKETBOLL MESHKUJ / Kamza likuidon Skënderbeun, sot kryendeshja Teuta-Tirana
Pas javës së 17-të të zhvilluar mes të mërkurës dhe të enjtes, kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj është rikthyer sërish dje në parket për javën e 18-të me duelin Kamza-Skënderbeu. Gjithçka e lehtë për skuadrën e Eni Llazanit që i mposhti korçarët e vendit të fundit me rezultatin treshifror 103-49.
Diferencat në parket ishin të mëdha, me Kamzën që u shkëput menjëherë që në periodën e parë, duke fituar 29-10. Çereku i dytë ishte me ritëm më të ulët, teksa të zotët e shtëpisë fituan më ngushtë, 17-14, duke shkuar në pushimin mes dy pjesëve me avantazhin e përgjithshëm 46-23. Kamza e përmirësoi edhe më shumë fazën ofensive në gjysmën e dytë të ndeshjes, teksa i fitoi dy periodat e mbetura 29-14 dhe 28-12, duke vulosur triumfin final me +54 avantazh.
Pesë lojtarë të Kamzës regjistruan dopioshifër pikësh në këtë takim, ndërsa MVP u shpall Dominique Keyes. Ndonëse e nisi nga stoli, amerikani regjistroi me 25 pikë, 13 kërcime dhe 2 asitime. Për Skënderbeun më i miri ishte Endri Habip me 22 pikë dhe 13 kërcime, mbështetur nga kapiteni Bruno Topi me 18 pikë. Me këtë fitore Kamza ngjitet momentalisht në vendin e tretë, ndërsa Skënderbeu pësoi disfatën e 17-të në po kaq ndeshje, për t’u stacionuar në fund të tabelës.
Java e 18-të do të vijojë sot me dy ndeshjet e radhës në orën 18:00. Spikat takimi ndërmjet Teutës dhe Tiranës në Durrës, ekipe që kanë dhuruar ndeshje emocionuese dhe me shumë rivalitet gjatë dekadës së fundit. Ndërsa në “Asllan Rusi” do të zhvillohet sfida ndërmjet Partizanit dhe Flamurtarit. Java do të kompletohet me dy ndeshjet e të dielës, me Besëlidhjen kryesuese që luan kundër Vllaznisë në Shkodër, ndërsa në Fier do të zhvillohet derbi Apolonia-Fieri.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"