BASKETBOLL MESHKUJ/ Durrësi pa sallë, kaos me supersfidën Teuta-Besëlidhja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2023 | 12:50

BASKETBOLL MESHKUJ/ Durrësi pa sallë, kaos me supersfidën Teuta-Besëlidhja

Kryendeshja e javës së 19-të të Superligës së basketbollit të meshkujve ndërmjet Teutës dhe Besëlidhjes mbetet në ajër. E planifikuar sipas kalendarit për t’u zhvilluar sot në orën 18:00 në Durrës, ende nuk dihet fati i sfidës që vendos përballë dy ekipet e kreut të kampionatit.

Teuta-Beslidhja-Basketboll-per-meshkuj

Siç dihet, pallati i sportit “Ramazan Njala” është i bllokuar nga Kampionati Botëror i Peshëngritjes për të rinj, aktivitet që do të mbahet nga dita e sotme e deri më 1 prill në qytetin bregdetar. E mbetur pa sallë për ndeshjet dhe stërvitjet, Teuta ka kërkuar mirëkuptimin e Besëlidhjes për ta shtyrë ndeshjen, gjë që me sa duket nuk është pranuar nga lezhjanët. Kjo situatë ka sjellë që dita, orari dhe vendi të mbeten ende pezull, ndërsa sipas Federatës Shqiptare të Basketbollit gjithçka qëndron ashtu sikurse është parashikuar në kalendar.

REAGIMI I FSHB-së – Duke marrë shkas nga kjo situatë e pazakontë, “Panorama Sport” ka kontaktuar me drejtuesit e FSHB-së. Në prononcimin e tij për gazetën, sekretari i përgjithshëm, Korab Llazani, shpjegon pozicionin e FSHB-së në lidhje me kaosin e krijuar për ndeshjen Teuta-Besëlidhja: “Ne u kemi kërkuar që skuadrat të gjejnë gjuhën e përbashkët me njëratjetrën, por palët nuk janë dakordësuar.

Ne nuk mund ta shtyjmë aktivitetin, sepse jemi në prag të zgjedhjeve dhe të gjitha pallatet e sportit do të bllokohen. Besëlidhja duke parë kalendarin e saj, gjithashtu nuk pranon që t’i shtyjë ndeshjet. Duke qenë se Teuta e ka pallatin e sportit të zënë, u kemi thënë që të gjejnë një vend tjetër për ta zhvilluar ndeshjen. Nëse nuk pranojnë, e vetmja gjë që mund të bëjë federata është zbatimi i rregullores”, deklaron në prononcimin e tij sekretari i FSHB-së.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"