BASKETBOLL MESHKUJ/ Besëlidhja thyen Vllazninë në Shkodër, Teuta përmbys Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2024 | 11:28

BASKETBOLL MESHKUJ/ Besëlidhja thyen Vllazninë në Shkodër, Teuta përmbys Tiranën

Me dy ndeshje të zhvilluara të dielën, kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka mbyllur dje javën e 18-të. Besëlidhja vijon marshimin, duke kaluar me sukses edhe transfertën në Shkodër. Lezhjanët e Afrim Bilalit fituan ndaj Vllaznisë 71-86 (19- 22, 13-23, 19-22, 20-19) në derbin e veriut.

beselidhja basket

Besëlidhja krijoi një avantazh prej 13 pikësh në pjesën e parë, për ta administruar epërsinë në fraksionin e dytë. Ky ishte triumfi i 16-të në po kaq ndeshje për lezhjanët, të cilët e kanë hipotekuar vendin e parë në sezonin e rregullt. Philbert Weekes me 23 pikë dhe 11 kërcime udhëhoqi Besëlidhjen në fitoren e arritur në “Qazim Dervishi”, ndërsa për Vllazninë nuk mjaftoi Dyquavis Wilkins, autor i 26 pikëve.

Në takimin tjetër të luajtur dje, Apolonia fitoi derbin ndaj Fierit me rezultatin treshifror 105-69 (26-15, 22-21, 25-17, 32-16). Jamarcus Jones me 18 pikë, 18 kërcime dhe 2 asistime meritoi vlerësimin MVP, ndërsa për Fierin spikati i përhershmi Brando Anyanwu, autor i 33 pikëve, 15 kërcimeve dhe 6 asistimeve.

Teuta fitoi kryendeshjen e javës, teksa mposhti Tiranën me rezultatin 90-81 (26- 31, 18-16, 19-19, 27-15), takim i luajtur të shtunën në pallatin e sportit “Ramazan Njala”. Bardheblutë ishin në epërsi të lehtë në pjesën më të madhe të kohës, por bregdetarët shpërthyen në periodën e fundit, duke realizuar përmbysjen. Me këtë fitore Teuta ngjitet në vend të dytë, me pikë të barabarta me Tiranën. Gjashtë lojtarë të durrsakëve shkuan në dopioshifër pikësh, ndërkohë që efikasitetin më të lartë e kishte Patrick Bacon me 20 pikë, 9 kërcime dhe 8 asistime. Për kryeqytetasit nuk mjaftoi Endrit Hysenagolli, MVP me 23 pikë, 17 kërcime dhe 2 asistime.

Partizani mori një fitore mjaft të bukur në shtëpi përballë Flamurtarit në shifrat 76-56 (13-15, 17-15, 28-11, 28-15). “Demat” shpërthyen në pjesën e dytë, duke dominuar në çdo aspekt ndaj vlonjatëve. MVP u shpall Mussie Teclemariam me 23 pikë, 15 kërcime dhe 3 asistime. Në ndeshjen hapëse të javës, Kamza mundi Skënderbeun të premten 103-49.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"