BASKETBOLL MESHKUJ/ Besëlidhja nuk kursen as Partizanin, bindin Teuta dhe Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2024 | 9:34

BASKETBOLL MESHKUJ/ Besëlidhja nuk kursen as Partizanin, bindin Teuta dhe Tirana

Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj tashmë po i drejtohet fundit të sezonit të rregullt, teksa dje ka ulur siparin edhe java e 19-të. Besëlidhja ka regjistruar suksesin e 17-të radhazi, duke ruajtur pathyeshmërinë në kampionat. Lezhjanët e Afrim Bilalit fituan kundër Partizanit 81-61 (19-18, 22-17, 24-19, 16- 7) në “Asllan Rusi”.

beselidhja basket

Skuadra veriore pati epërsi në të gjitha periodat kundër të kuqve, të cilët provuan të bënin rezistencë. Hysa me 17 pikë, 4 kërcime dhe 4 asistime ishte më i mirë për Besëlidhjen, ndërsa te Partizani rendimentin më të lartë e kishin Teclemariam me 16 pikë e 10 kërcime.

Teuta shënoi fitoren më të thellë të javës, teksa mposhti Fierin në transfertë me rezultatin treshifror 94- 125 (16-37, 24-32, 27-31, 27- 25). Durrsakët ishin të papërmbajtshëm në sulm, ndërsa i mbyllën llogaritë që në pjesën e parë, për ta kontrolluar lojën qetësisht në gjysmën e dytë. Paraqitje fantastike nga Bacon dhe Gorea, me amerikanin që realizoi 26 pikë dhe 16 asistime, ndërsa kapiteni e mbylli takimin me 23 pikë dhe 16 kërcime. 23 pikë për Teutën regjistroi gjithashtu edhe Small. Në radhët e Fierit spikati i zakonshmi Anyanwu me 37 pikë, 5 kërcime dhe 7 asistime, mbështetur nga Zyberi me 23 pikë dhe 9 kërcime.

Tirana shkëlqeu në shtëpi kundër Kamzës, me kampionët në fuqi që triumfuan 96- 73 (27-15, 31-21, 19-18, 19-19) dje në “Farie Hoti”. Edhe bardheblutë i mbyllën llogaritë që në pjesën e parë, për ta administruar lojën në fraksionin e dytë. Robinson me 22 pikë dhe 11 kërcime, Davis me 20 pikë si dhe Hysenagolli me 16 pikë e 14 kërcime spikatën për Tiranën. Te Kamza më i miri ishte Hajdari, autor i 25 pikëve dhe 8 kërcimeve.

Vllaznia mundi Apoloninë në Fier me rezultatin e ngushtë 84-86 (27-15, 19-34, 15-19, 23-18). Një takim me përmbysje dhe ripërmbysje, ndërsa për shkodranët rezultoi vendimtar Saab me një kosh për 2 pikë dhe më një gjuajtje të saktë të lirë në sekondat e fundit. Me 29 pikë, amerikani ishte edhe shënuesi më i mirë për kuqeblutë, ndërsa për Apoloninë nuk mjaftoi Hamilton me 29 pikë, 9 kërcime dhe 8 asistime.

Në sfidën tjetër, Flamurtari mundi bindshëm Elbasanin në Vlorë 89-71 (17- 17, 22-30, 35-14, 15-10). Bregdetarët e bënë diferencën në pjesën e dytë, ndërsa njeriu i ndeshjes ishte Mohr, me 35 pikë dhe 5 kërcime. Për Elbasanin u dallua kapiteni Çela, autor i 32 pikëve dhe 12 kërcimeve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"