BASKETBOLL MESHKUJ/ Besëlidhja njeh vetëm fitore, tri skuadra ndajnë vendin e dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2024 | 10:47

BASKETBOLL MESHKUJ/ Besëlidhja njeh vetëm fitore, tri skuadra ndajnë vendin e dytë

Kategoria e Parë e basketbollit për meshkuj ka kompletuar dje javën e 21-të, e parafundit për sezonin e rregullt. Sfida hapëse u luajt të shtunën, teksa në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” u përballën dy skajet e tabelës, Skënderbeu i vendit të fundit dhe Besëlidhja kryesuese.

beselidhja basket

Për skuadrën e Afrim Bilalit gjithçka ishte një formalitet, teksa lezhjanët fituan me rezultatin treshifror 55-117. Ky ishte suksesi i 19-të në po kaq takime për Besëlidhjen, që bëhet skuadra e parë që kalon kuotën e 2000 pikëve të shënuara në kampionat. Ekipi verior ka gjithashtu edhe mbrojtjen më të fortë, ndërsa vijon të ruajë pathyeshmërinë në parket.

Gjithçka e thjeshtë edhe për Tiranën, teksa kampionët në fuqi mundën Flamurtarin në “Farie Hoti” me rezultatin treshifror 105-64 (40-21, 23-20, 26-13, 16-10). Bardheblutë e Erkand Karajit e nisën me ritëm të jashtëzakonshëm, duke krijuar diferenca të mëdha që në periodën e parë, për ta thelluar më pas në +41 pikë epërsinë finale. Gjashtë lojtarë për Tiranën shënuan mbi 10 pikë, ndërsa shënuesi më i mirë ishte Gerard Davis (33).

Vllaznia nuk fali në shtëpi, teksa mposhti Partizanin me rezultatin 85-66 (23-21, 24-13, 20-15, 19-17). Shkodranët bënë më mirë në të katërta periodat, duke marrë një sukses me vlera për kalimin direkt në gjysmëfinalet e “play off”-it. Tashmë Tirana, Teuta dhe Vllaznia ndajnë vendin e dytë me bilanc të njëjtë, 14 fitore dhe 5 humbje secila, ndërsa gjithçka do të vendoset në javën e fundit. Bardheblutë kanë kalendar më të vështirë, teksa do të sfidojnë Besëlidhjen, durrsakët do të luajnë në Vlorë kundër Flamurtarit, ndërsa kuqeblutë kanë transfertën ndaj Elbasanit.

Ndërkohë, Kamza nuk gaboi në transfertë kundër Fierit, duke fituar me rezultatin e thellë 59-98 (11-35, 16-29. 21- 13, 11-21), me ekipin e Eni Llazanit që e ka hipotekuar raundin e parë të “play off”-it, ashtu sikurse Apolonia, e cila shkatërroi Elbasanin 144-93 (38- 20, 40-26, 27-25, 39-22) në takimin e luajtur në Fier.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"