BASKETBOLL MESHKUJ/ Besëlidhja “asfalton” Elbasanin, Flamurtari mposht Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2024 | 13:49

BASKETBOLL MESHKUJ/ Besëlidhja “asfalton” Elbasanin, Flamurtari mposht Skënderbeun

Besëlidhja nuk ka ndërmend të ndalet në kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj, teksa po zhvillon një sezon rekordesh. Pas pjesëmarrjes në Ligën Unike, si skuadra shqiptare që u paraqit më denjësisht në eventin mbarëkombëtar, lezhjanët u janë rikthyer fitoreve në kampionat.

beselidhja basket

Skuadra e Afrim Bilalit regjistroi triumfin e 18-të në po kaq ndeshje të zhvilluara, teksa mposhtu dje në transfertë Elbasanin me rezultatin treshifror 74-148, takim i vlefshëm për javën e 20-të. Besëlidhja tregoi një nivel të jashtëzakonshëm, sidomos në fazën sulmuese, përballë një rivali që e kishte të pamundur t’i përgjigjej të njëjtit ritëm loje. Miqtë u treguan të papërmbajtshëm në katërta periodat, duke realizuar mbi 33 pikë në secilën prej tyre. Kështu skuadra veriore e nisi furishëm, për ta konkretizuar me avantazhin 13-35 në çerekun e parë.

Edhe perioda e dytë vijoi e ngjashme, me Besëlidhjen që triumfoi 17-33, duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin e përgjithshëm 30-68. Ritmi ishte edhe më i shfrenuar me rikthimin në parket në periodën e tretë, teksa miqtë fituan 25-45, duke thelluar në 55-113 pas 30 minutash. Ndonëse me shumë ndryshime në formacion, efikasiteti në sulm i lezhjanëve mbetet i lartë edhe në periodën e katërt, fraksion që mbyllet 19-35, ndërsa e gjithë ndeshje shkon me plot 74 pikë epërsi për të besuarit e Bilalit.

Kështu lezhjanët vijojnë të komandojnë me pikë të plota dhe pa asnjë humbje në kampionat, ndërsa e kanë siguruar vendin e parë në sezonin e rregullt si dhe fazën “play off”. Plot nëntë lojtarë të Besëlidhjes shkuan në dopioshifër pikësh në transfertën elbasanase, ndërsa vlerësimin MVP e meritoi amerikani Blake Marquardt, autor i 25 pikëve dhe 8 kërcimeve në rreth 18 minutat që qëndroi në parket. Për Elbasanin efikasitetin më të lartë e kishte Samuel Skëndaj me 26 pikë e 10 kërcime.

FLAMURTARI-SKËNDERBEU Në ndeshjen tjetër të luajtur dje, Flamurtari fitoi në shtëpi kundër Skënderbeut në shifrat 98-79 (32-27, 20-16, 20-19, 26-17). Vlonjatët bënë më mirë në të katërta periodat, duke merituar edhe suksesin, ndërsa lojtari i ndeshjes ishte amerikani Maki Mohr, protagonist me 33 pikë, 14 kërcime dhe 6 asitime për vendësit. Në kampin korçar spikati Leon Thanas me 32 pikë, por Skënderbeu vijon të regjistrojë vetëm humbje në kampionat, duke u pozicionuar në vendin e fundit të tabelës.

Java e 20-të do të kompletohet sot me ndeshjet Vllaznia-Fieri në Shkodër, Kamza-Teuta në Bathore dhe Partizani-Apolonia në “Asllan Rusi”. Me gjashtëshen e parë thuajse të kristalizuar, të përbërë nga Besëlidhja (e kualifikuar në gjysmëfinale), Teuta, Tirana, Kamza, Vllaznia dhe Apolonia, tashmë mbetet për t’u përcaktuar vendi i dytë, i cili të çon direkt në gjysmëfinalet e “play off”-it.

bas

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"