BASKETBOLL/ Karaji në krye të Kombëtares: Ëndërr për çdo trajner, ja risitë për ekipin kuqezi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2023 | 12:59

BASKETBOLL/ Karaji në krye të Kombëtares: Ëndërr për çdo trajner, ja risitë për ekipin kuqezi

Erkand Karaji është emëruar si trajner i Kombëtares shqiptare të basketbollit. Zyrtarizimin e ka bërë vetë presidenti i FSHB–së, Avni Ponari, gjatë konferencës së djeshme për mediat, me rastin e prezantimit të sekretarit të përgjithshëm të federatës, Franko Bushati.

WhatsApp Image 2023-11-25 at 12.04.26

Karaj pason kështu në këtë detyrë grekun Antonios Dukas, ky i fundit e drejtoi Shqipërinë për një kohë të shkurtër pas dorëheqjes së Afrim Bilalit. Erkand Karaj është njëkohësisht edhe trajner i Tiranës, teksa ka shënuar rezultate të rëndësishme me bardheblutë, të cilat kulmuan me fitimin e titullit kampion në sezonin e kaluar. Karaj gjithashtu ka një palmares të shkëlqyer edhe si lojtar, me tituj të shumtë mbi shpatulla. Një CV e pasur, që ka bindur kreun e FSHB-së për ti besuar rolin e rëndësishëm, siç është drejtimi i përfaqësues kuqezi të sportit të koshit.

SURPRIZË NGA PONARI – Ndonëse konferenca ishte njoftuar për prezantimin e sekretarit të përgjithshëm të FSHB-së, Avni Ponari, surprizoi duke dhënë edhe lajmin e trajnerit të ri të Kombëtares, për t’ia besuar këtë detyrë të rëndësishme Erkand Karajit. “Përfitoj nga rasti për të prezantuar edhe trajnerin e Kombëtares, i cili do të jetë për një periudhë 3-vjeçare. Trajneri i ri i Shqipërisë do të jetë Erkand Karaji, ish-basketbollist i Tiranës, kampion për shumë vite. Kampion me Valbonën për shumë vite. Kështu që dua ti uroj shumë suksese Erkandit për drejtimin e Kombëtares. Pas shumë eksperimenteve me trajnerë të huaj, duke u konsultuar edhe me Frankon, vendosëm që ne të kthehemi te trajneri vendës, duke zgjedhur pikërisht Erkand Karajin”, deklaroi ndër të tjera presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit.

FJALËT E PARA – Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Erkand Karaji ka thënë edhe fjalët e para si trajneri i Shqipërisë. “Është shumë përgjegjësi e madhe, por gjithashtu edhe një nder dhe privilegj për mua. E kam marrë me shumë dëshirë dhe pasion këtë punë. Ekipi kombëtar është pjesa më e rëndësishme e basketbollit. Unë jam rritur me basketbollin dhe gjithashtu me ekipin kombëtar, ndërsa tani do jem në rol drejtues dhe mendoj që të bëj mirë. Me ardhjen e sekretarit të ri është një mundësi ndryshe dhe ka disa ndryshime, kështu që shpresoj që të na shkojë mirë të gjithëve”, u shpreh fillimisht trajneri kryeqytetas. I pyetur nëse e priste këtë thirrje për të marrë drejtimin e Kombëtares, Karaj shprehet: “Të them të drejtën e prisja edhe pse nuk e dija nëse do të ndodhte pikërisht kaq shpejt, por gjithmonë e kam e pritur. Siç edhe e përmenda, Kombëtarja është maja e basketbollit dhe patjetër që ka qenë një ëndërr për mua, por nuk e mendoja kaq shpejt”.

Por si do të jetë Shqipëria e Erkandit dhe cilat do të jenë objektivat? Ja çfarë thotë trajneri: “Akoma nuk kemi folur konkretisht, por siç e përmendi edhe vetë sekretari Bushati, ne do të synojmë te skautizimi, pra te zbulimi i lojtarëve që luajnë jashtë në liga të forta Europiane, në mënyrë që ti afrojmë. Të them të drejtën deri tani nuk pasur një zbulim shumë të mirë të këtyre lojtarëve dhe nuk i njohim ende të gjithë lojtarët që luajnë jashtë. Kështu që mendojmë që të afrojmë disa lojtarë që nuk janë afruar ndonjëherë në Kombëtare, sigurisht patjetër duke i ndërthurur edhe me lojtarët e talentuar që kemi këtu në Shqipëri, sepse janë pjesa kryesore dhe lojtarët vendës do të jenë baza e Kombëtares, sepse e njohin më mirë realitetin në Shqipëri. Pra lojtarët vendorë do të jenë baza e ekipit, duke ndihmuar edhe basketbollistët që do të vijnë nga jashtë për tu përshtatur sa më mirë në skuadër”, përfundoi Erkand Karaji, i cili u kap gjithashtu “i papërgatitur” nga prezantimi që iu bë nga presidenti i FSHB-së, aq sa shfaqej në konferencë me simbolet e skuadrës së Tiranës.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"