BASKETBOLL/ Finale pa histori, Tirana çmonton Teutën në Durrës dhe fiton Superkupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2023 | 10:45

BASKETBOLL/ Finale pa histori, Tirana çmonton Teutën në Durrës dhe fiton Superkupën

Tirana është fituesja e Superkupës së Sh qipërisë në basketboll për meshkuj për vitin 2023. Bardheblutë e Erkand Karajit triumfuan dje kundër Teutës në Durrës me rezultatin e thellë 101-80, në një ndeshje të dominuar tërësisht. Ky ishte trofeu i nëntë i Superkupës për Tiranën, që vijon ta thellojë rekordin si ekipi më fitues i këtij kompeticioni.

tirana basket

Kryeqytetasit prishën gjithashtu edhe “mallkimin” e finaleve të Superkupës ndaj Teutës, duke marrë triumfin e parë ndaj bregdetarëve pas katër humbjeve radhazi që prej vitit 2018 e deri në edicionin e kaluar.

Një sukses më se i merituar nga bardheblutë, të cilët zhvilluan një lojë shumë të mirë, duke treguar rendiment të lartë në sulm dhe një fazë mbrojtëse mjaft solide.

NDESHJA – Në parketin e pallatit të sportit “Ramazan Njala”, Superkupa 2023 vendoste përballë Tiranën, nën petkun e kampiones dhe Teutën si fituese e Kupës. Pritshmëritë ishin për një sfidë me rivalitet, por nuk ndodhi aspak kështu, pasi bardheblutë e kthyen në një shëtitje këtë përballje.

Kështu sfida nisi menjëherë nën diktatin e skuadrës së Erkand Karajit, me aksione të sakta, teksa spikasin amerikanët Davis dhe Myles. Tirana shkëputet në 13-0, ndërsa për të parë koshin e parë të durrsakëve duhen pritur 5 minuta, me kapitenin Gorea që realizon për 3 pikë.

Më tej çereku i parë mbyllet 24-12 për Tiranën, që vijon me ritëm të lartë edhe në periodën e dytë, të cilën e fiton 30-19, duke shkuar në pushim me avantazhin 54-31. Kryeqytetasit e çojnë avantazhin deri në +36 pikë në periodën e tretë, (75- 39), për ta kontrolluar qetësisht lojën deri në fund, përballë një Teute të pafuqishme.

Gjithçka mbyllet me rezultatin 101-80, ndërsa është Hasani ai që realizon koshin treshifror për Tiranën. Lojtari i ndeshjes ishte Endrit Hysenagolli, i cili bëri një paraqitje fantastike, duke regjistruar 19 pikë, 10 kërcime dhe 3 asistime.

Ndeshje mjaft e mirë edhe për amerikanët Davis dhe Myles, të cilët shënuan respektivisht 25 dhe 21 pikë, ndërsa shkëlqeu edhe Ndreca, autor i 20 pikëve, 7 kërcimeve dhe 6 asistimeve. Për Teutën shënuesi më i mirë ishte Small me 22 pikë, ndërsa kapiteni Gorea e mbylli me 14 pikë, 9 kërcime dhe 2 asistime.

Në fund të ndeshjes u mbajt edhe ceremonia, teksa presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, i dorëzoi trofeun e Superkupës kapitenit bardheblu, Red Vogli, duke i lënë vend festës së merituar të kryeqytetasve.

tirana teuta

ERKAND KARAJ – Trajneri i Tiranës, Erkand Karaj, mendon se diferencën e bëri mbrojtja shumë e mirë e ekipit të tij, ndërsa theksoi se nuk e priste kaq të lehtë.

“Si fillim dua të përgëzoj të gjithë lojtarët e ekipit tim për profesionalizmin dhe korrektesën në zbatimin e detyrave respektive. Ishte një ndeshje qe e dominuam nga fillimi, ndaj çdo gjë ishte e merituar.

Padyshim mbrojtja siç duhet ishte çelësi i suksesit tonë. Ishim agresivë aq sa duhet, detyrat i zbatuam me përpikëri dhe i prishëm lojën edhe kundërshtarit. Me thënë të drejtën ndeshjen nuk e mendoja kaq të lehtë në fillim, pasi Teuta ka lojtarë shumë cilësorë. Ky ishte vetëm një trofe, ndaj duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë.

Të shohim para në kampionat, pasi ekipe si Teuta, Besëlidhja, Kamza apo ndonjë skuadër tjetër kanë ambicie po aq sa ne”, deklaroi Erkand Karaj.

KRISTI GOREA – Kapiteni i Teutës, Kristi Gorea, pohoi se presioni i Tiranës mbi organizatorin e durrsakëve në minutat e para bëri diferencën.

“Teuta nuk tregoi formën e saj më të mirë në këtë takim. Ekipi ka qenë në një fillimsezoni disi të vështirë. Duhet më shumë kohë për të treguar veten, ndaj shohim përpara. Normalisht që kjo humbja nuk kapërdihet lehtë, por në total mund të them qe ishte një ndeshje ‘jo’ për ne.

Tirana e filloi më mirë sesa ne taktikisht. Arriti të bënte presion me Strazimirin që në minutat e para tek organizatori ynë. Kjo mendoj se ndikoi në vijimin e lojës, pasi organizatori ynë nuk u fut kurrë në ritmin e lojës. Sidoqoftë nuk ka vend për demoralizim, pasi duhet të rikthehemi në lojën tonë”, u shpreh Gorea.

ROLAND GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"