BASKETBOLL FEMRA/ Tirana rigjen shkëlqimin në “play off”, i kthen reston Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2024 | 10:27

BASKETBOLL FEMRA/ Tirana rigjen shkëlqimin në “play off”, i kthen reston Partizanit

Ashtu sikurse edhe pritej, seria e gjysmëfinaleve “play off” ndërmjet Partizanit dhe Tiranës, e vlefshme për kampionatin kombëtar të basketbollit për femra, po rezulton me shumë rivalitet. Skuadra bardheblu ka fituar raundin e dytë të derbit, duke barazuar 1-1 me ndeshje. Pasi ishin mundur në takimin e parë në fushën e tyre, vajzat e trajneres Mirza Alibegaj ia dolën që të reagonin mjaft mirë në aktin e dytë të zhvilluar dje në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

tirana basket femra

Tirana triumfoi me rezultatin 58-61 në një sfidë shumë të luftuar, sukses që erdhi me përmbysje në periodën e katërt. Në kampin e kuq, nëse 4 ditë më parë festa vinte me përmbysje në sekondat e fundit, këtë herë vajzave të Eliverta Bujarit u shpëtoi fitorja nga duart. Partizani pagoi kostot e një periode të katërt me shumë gabime, fraksion ku shpërdoroi 8 pikë avantazh.

NDESHJA – Derbi i dytë gjysmëfinal e hapi serinë e koshave me një 3-pikësh nga Enisa Qosja për Tiranën. Perioda e parë pa gjatë të gjithë kohës në avantazh ekipin bardheblu, ndonëse diferencat në pikë ishin të ngushta. Kështu çereku i parë u mbyll me epërsinë minimale 17-18 për Tiranën. Në periodëm e dytë efikasiteti në sulm ishte më dobët, me Tiranën që fitoi sërish minimalisht 12-13, duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin e 2 pikëve, 29-31. Por me rikthimin në parket, Partizani e përmirësoi ndjeshëm lojën duke u shfaqur dominues në periodën e tretë, fraksion që u mbyll me triumfin 18-10 për të kuqet, të cilat kaluan në avantazh 47-41 pas 30 minutash lojë. Në startin e periodës së katërt Partizani e çoi në +8 pikë epërsinë, por më pas skuadra e Eliverta Bujarit kaloi në vetëkënaqësi, duke gabuar thuajse gjithçka.

Nga ana tjetër, Tirana mori zemër dhe nisi të fitojë terren. Minutat e fundit ishin emocionuese, teksa Aida Palko kaloi përpara 54-56 Tiranën, ndërsa Sophia Jacobsson barazoi në 56-56. Bojka dhe Gonzales i çuan shifrat në 56-60 për bardheblutë, Bannistter ngushtoi në 58-60 kur kishin mbetur edhe 12 sekonda lojë, ndërsa në fund Palko shënoi një nga dy gjuatjet e lira, duke vulosur suksesin final 58-61 për Tiranën. Për sa u përket statistikave individuale, Enisa Qosja me 19 pikë dhe Morina Bojka me 17 ishin të vetmet lojtare që shkuan në dopioshifër për Tiranën, ndërsa spikati edhe Aida Palko si eksperte në kapjen e topave, me 11 kërcime të sukseshme. Për Partizanin nuk mjaftoi Bannistter, MPV, me 24 pikë, 6 kërcime dhe 7 asistime. Më 19 prill në “Farie Hoti” do të luhet edhe gjysmëfinalja e tretë, me skuadrën fituese që do të duelojë më pas për titullin kundër Flamurtarit.

ND

pla

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"