BASKETBOLL FEMRA/ Tirana rigjen fitoret, thyen Elbasanin dhe merr kryesimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2022 | 21:09

BASKETBOLL FEMRA/ Tirana rigjen fitoret, thyen Elbasanin dhe merr kryesimin

Pas një pauze 20-ditore për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, dje janë rikthyer sfidat e Kampionatit Kombëtarë në basketbollin e femrave. Java e shtatë është hapur me sfidën e zhvilluar në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”, aty ku Elbasani vendës priti Tiranën.

tirana basket femra

Ndonëse vajzat bardheblu u rikthyen në parket pa mbushur 24 orë nga derbi ndaj Partizanit në Ligën Unike, nuk e patën aspak të vështirë që të siguronin fitoren në këtë përballje, duke u larguar nga Elbasani me një triumf të thellë 54-72. Diferencat e mëdha kualitative mes dy skuadrave u panë që në fillim, ndërsa serinë e koshave e hapi Enisa Qosja, e cila ndëshkoi me një kosh për dy pikë ish-skuadrën e saj. Perioda e parë vijoi me dominim e kryeqytetaseve të trajneres Mirza Alibegaj, të cilat treguan rendiment të lartë në sulm, duke e fituar këtë fraksion 16-26. Në çerekun e dytë, Elbasani arrin të afrohet deri në 5 pikë, 31-36, por Tirana rivendos distancat në minutat e fundit, për ta fituar periodën 17-22, duke shkuar në pushim me avantazhin e përgjithshëm 33-48. Në periodën e tretë trajnerja Alibegaj u jep më shumë minuta edhe lojtareve të stolit, ndërsa ky fraksion fitohet 12-8 nga Elbasani, por në shifrat të përgjithshme pas 30 minutash lojë udhëheq Tirana 45-56. Perioda e fundit nuk ndryshon asgjë, pasi janë kryeqytetaset që fitojnë 9-16 dhe vulosin triumfin me +18 pikë.

Kështu pas dy humbjeve ndaj Flamurtarit në kampionat dhe Partizanit në Ligën Unike, Tirana rikthehet te fitoret, duke marrë momentalisht edhe vendin e parë në renditje. Për sa u përket paraqitjeve individuale, Klea Verri vijon serinë e ndeshjeve të shkëlqyera, teksa regjistroi dopietë dyshifrore me 20 pikë dhe 14 ribaunde për Tiranën. Dopietë dyshifrore edhe Aida Palkon, e cila regjistroi 10 pikë e 11 ribaunde dhe vazhdon të jetë një garanci në parket duke sfiduar edhe moshën. Ndërsa Enisa Qosja e mbylli me 19 pikë ndeshjen ndaj ish-skuadrës së saj. Për Elbasanin nuk mjaftoi Sidorela Zenuni, autore e 23 pikëve dhe e 11 ribaundeve. Java e shtatë do të vijojë sot me dy ndeshjet e mbetura: Studenti-Vllaznia dhe Flamurtari-Barleti, ndërsa Partizani është pushim.

1

2

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"