BASKETBOLL FEMRA/ Tirana finaliste e “play-off”-it, të kuqet dorëzohen në derbin e tretë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2024 | 13:20

BASKETBOLL FEMRA/ Tirana finaliste e “play-off”-it, të kuqet dorëzohen në derbin e tretë

Tirana ka kompletuar përmbysjen kundër Partizanit në serinë e gjysmëfinaleve të basketbollit për femra, teksa ka dominuar totalisht në derbin e tretë të zhvilluar dje në sallën “Farie Hoti”. Vajzat bardheblu e fituan ndeshjen shtesë me rezultatin e thellë 90-55, duke merituar plotësisht kualifikimin.

partizani tirana basket

Nga ana tjetër Partizani shpërdoroi bonusin e fitores në sfidën e parë, duke gabuar gjithçka në dy përballjet e radhës, ku fillimisht nuk arriti t’u jepte rivaleve goditjen e “nokautit” në momentet decizive të derbit të dytë, për t’u dorëzuar më pas pa kushte në përballjen e djeshme. Tashmë beteja e titullit do të jetë mes Tiranës dhe Flamurtarit, ekipe që kanë zhvilluar sfida shumë interesante gjatë këtij sezoni.

NDESHJA – Ndryshe nga dy gjysmëfinalet e para, të cilat dhuruan rivalitet të lartë në parket, ndeshja e djeshme ishte me sens unik, teksa Tirana u tregua superiore në çdo aspekt. Skuadra e drejtuar nga Mirza Alibegaj fitoi periodën e parë 17-15, teksa ky ishte edhe fraksioni i vetëm i lojës me rivalitet. Më tej Tirana bëri çfarë deshi në parket, duke nisur që nga perioda e dytë, e fituar 27-12 nga bardheblutë, të cilat shkuan në pushimin e madh me 17 pikë avantazh, 44-27. Pjesa e dytë nuk ndryshoi asgjë, teksa Tirana e thelloi edhe më shumë diferencën e pikëve, ndërsa skuadra e Eliverta Bujarit ishe e pafuqishme për të reaguar. Kështu Tirana e fitoi periodën e tretë 24-10, duke e çuar avantazhin e përgjithshëm në 68-37 pas 30 minutash. Me fitoren në kasafortë vajzat bardheblu mendojnë më shumë për argëtimin në çerekun e fundit, ndërsa trajnerja Alibegaj u jep minuta edhe lojtareve të stolit. Tirana e fiton periodën 22-18, duke prerë biletën e finales në një derbi të mbyllur me 35 pikë avantazh. Më tej në parket kishte vend për festën e skuadrës bardheblu, që i gëzohet suksesit të merituar kundër rivaleve të qytetit.

Për sa i përket statistikave individuale, spikati Morina Bojka, e cila ishte në një formë të shkëlqyer, duke “flirtuar” me dopietën dyshifrore, teksa regjistroi 26 pikë dhe 9 kërcime. Ndeshje mjaft e mirë edhe nga Enisa Qosja, autore e 22 pikëve, 3 kërcimeve dhe 8 asistimeve. Për Partizanin më e mira ishte amerikania Antoinete Bannistter, me 14 pikë, 6 kërcime dhe 3 asistime.

1

2

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"