BASKETBOLL FEMRA/ Tirana dominon Vllazninë, Flamurtari mund Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2023 | 13:30

BASKETBOLL FEMRA/ Tirana dominon Vllazninë, Flamurtari mund Partizanin

Flamurtari vijon të bëjë ligjin në basketbollin e femrave në Shqipëri. Vlonjatet po zhvillojnë një kampionat të shkëlqyer, teksa kanë shënuar fitoren e gjashtë në po kaq ndeshje të zhvilluara.

flamurtari basket

Bregdetaret e trajneres Elona Hasanaj kaluan me sukses një tjetër provë përballë një rivali direkt, teksa të shtunën mundën Partizanin në kryeqytet me rezultatin minimal 62-63 (18-16, 18-19, 14-14, 12-14), takim i vlefshëm për javën e gjashtë të kampionatit kombëtar.

Flamurtari doli me triumf nga “Asllan Rusi” pas një ndeshjeje shumë të luftuar, ndaj një ekipi me ambicie si Partizani. Të katërta periodat u karakterizuan me rivalitet të lartë, ndërsa kur kishin mbetur 3:05 nga fundi, ishte Tea Memushi që realizoi koshin deciziv për 2 pikë duke vulosur shifrat finale 62-63.

Më pas kishim një seri të gjatë gabimesh nga të dyja skuadrat, të cilat nuk mundën të realizon më asnjë kosh për më shumë se 3 minuta lojë. Tea Memushi dhe Karon Williams, me nga 15 pikë secila, ishin shënueset më të mira në radhët e Flamurtarit.

Për Partizanin nuk mjaftuan dopietat dyshifrore nga Ornela Lalaj dhe Emma Fee, me të parën që regjistroi 13 pikë dhe 13 kërcime, ndërsa amerikania 13 pikë e 12 kërcime.

011

Me këtë sukses Flamurtari i konsolidon edhe më shumë pozitat në vend të parë, ndërsa Partizani zbret në vend të tretë, duke u parakaluar nga Tirana.

Vajzat bardheblu fituan në Shkodër përballë Vllaznisë me rezultatin 42-63 (9-14, 9-13, 11- 20, 13-16). Skuadra e drejtuar nga Mirza Alibegaj u paraqit më mirë në të katërta periodat, duke e thelluar gradualisht rezultatin, për ta mbyllur sfidën me +21 pikë avantazh.

Maggie Justinak, me 22 pikë, 10 kërcime dhe 3 asistime ishte lojtarja MVP e ndeshjes. Për Tiranën shkëlqeu gjithashtu edhe Aida Palko, e cila vijon të bindë me paraqitjet e saj. Gjirokastritja bardheblu koleksionoi dopietën e radhës dyshifrore, me 10 pikë dhe 12 kërcime, duke i shtuar gjithashtu edhe 3 asistime.

Në radhët e Vllaznisë spikatën Bernarda Rreshpja me 12 pikë, 12 kërcime dhe 4 asistime si dhe amerikania Dunn, autore e 18 pikëve dhe 12 kërcimeve.

022

Gjithçka e thjeshtë për Studentin në derbin universitar kundër Barletit.Vajzat e Florentina Mitkut triumfuan me rezultatin e thellë 71-28 (31-7, 19-5, 11-4, 10-12) në një ndeshje të dominuar nga fillimi e deri në fund përballë adoleshenteve të Barletit.

Pesë lojtare të Studentin shënuan mbi 10 pikë në këtë takim, ndërsa rendimentin më të lartë e kishte Marina Pëllumbi me 10 pikë, 12 asistime dhe 7 asistime. Për Barletin asnjë lojtarë nuk mbërriti në dopioshifër pikësh.

033

Në takimin hapës të javës së gjashtë, të zhvilluar të premten, Teuta mundu Elbasanin në transfertë me rezultatin e thellë 40-81.

044

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"