BASKETBOLL FEMRA/ Flamurtari, i vetëm në krye pas tri javësh kampionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2023 | 15:55

BASKETBOLL FEMRA/ Flamurtari, i vetëm në krye pas tri javësh kampionat

 Kampionati kombëtar i basketbollit për femra ka mbyllur takimet e javës së tretë, javë që nuk ka dhuruar surpriza, ndërsa Flamurtari tashmë mban i vetëm kreun e klasifikimit me pikë të plota. Vlonjatet siguruan fitoren e tretë, këtë herë në transfertë kundër Vllaznisë me rezultatin 44-54 (4-19, 21-15, 7-4, 12-16).

basket

Kampionet në fuqi u shkëputën +15 pikë që në periodën e parë, për ta administruar epërsinë deri në fund. E veçantë ishte perioda e tretë, me të dyja ekipet që harruan se si shënohet, teksa u regjistruan vetëm 11 pikë gjithsej. Amerikania Henderson, me 18 pikë dhe 13 kërcime, ishte lojtarja më e mirë në radhët e Flamurtarit, ndërsa për Vllazninë spikati e zakonshmja Bernarda Rreshpja, autore e 17 pikëve, 9 kërcimeve dhe 3 asistimeve.

Në ndeshjet e tjera, Tirana mori suksesin e dytë radhazi në kampionat, duke fituar një tjetër derbi, këtë herë përballë Studentit me rezultatin 68- 72 (16-12, 11-21, 21-22, 20- 17). Sfida ishte mjaft interesante dhe e luftuar nga të dyja skuadrat, ndërsa vajzat bardheblu e bënë diferencën në periodën e dytë. Morina Bojka me 20 pikë, 12 kërcime dhe 6 asistime, Aida Palko me 14 pikë, 9 kërcime, si dhe amerikania Maggie Justinak me 21 pikë udhëhoqën Tiranën në këtë fitore.

Për Studenti lojtarja më e mirë ishte Megi Spahiu, autore e 18 pikëve dhe e 10 asistimeve. Triumfi i parë në kampionat për Teutën, teksa bregdetaret fituan në shtëpi kundër Barletit me rezultatin 83-40 (35-6, 17- 4, 20-11, 11-19). Pesë lojtare të Teutës prekën kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa rendimentin më të lartë e shënuan Xhulia Velis me 11 pikë, 8 asistime dhe 4 kërcime, Imani Dixon me 18 pikë, Ebi Dishnica me 15 pikë si dhe Davis me 14 pikë e 11 kërcime. Në radhët e Barletit spikati Sibora Këllëçi me 19 pikë dhe 8 kërcime. Të premten Partizani mundi Elbasanin 114-30 në ndeshjen hapëse të javës së tretë.

cc bb aa

dd

 

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"