BASKETBOLL FEMRA/ Flamurtari dominon Tiranën, bindin Vllaznia dhe Elbasani
Kategoria e Parë e basketbollit për femra ka kompletuar të shtunën takimet e javës së parë të kampionatit. Pas triumfit në Kupën e FSHB-së, Flamurtari, kampionia në fuqi, e nis me fitore edhe kampionatin. Vlonjatet triumfuan ndaj Tiranës me rezultatin 71-48 (14-11, 17-9, 23-12, 17- 16), në një sfidë të cilën e udhëhoqën gjatë të gjithë kohës.
Me ndryshime në përbërje nga sezoni i kaluar, Flamurtari ka treguar sërish ambiciet edhe për këtë sezon, teksa synon sërish titullin.
Kryendeshja e javës së parë e zhvilluar në Vlorë u ndoq nga afër nga presidenti i FSHB-së, Avni Ponari. Me 23 pikë, 11 kërcime dhe 3 asiste, Asia Henderson e Flamurtarit ishte lojtarja më e mirë e ndeshjes, mbështetur nga Selena Kriberg me 21 pikë. Për Tiranën dopioshifër pikësh shënoi vetëm Enisa Qosja, autore e 17 pikëve.
Elbasani shënoi fitoren më të thellë të javës së parë, teksa mundi në shtëpi Barletin me rezultatin 81-51 (17-5, 27-7, 23-19, 14-20).
Vendëset dominuan tërësisht në pjesën e parë, për ta menaxhuar më tej me qetësi lojën deri në fund. Zyba me 25 pikë, Sali me 20 pikë e 12 asiste si dhe Hasa me 15 pikë e 17 kërcime udhëhoqën Elbasanin në këtë fitore. Për ekipin universitar më e mira ishte Neda Uka, protagoniste e 22 pikëve dhe 6 kërcimeve.
Teuta, e rikthyer pas shumë vitesh në kampionatin e të rriturave, ka debutuar me humbje. Skuadra durrsake u mund në shtëpi nga Vllaznia me rezultatin 57-66 (12-18, 18-13, 13-22, 14-13), në një përballje interesante, të luftuar deri në fund.
Vendimtare në suksesin e shkodraneve rezultoi perioda e tretë, e fituar me 9 pikë diferencë. Bernarda Rreshpja me 22 pikë e 12 kërcime udhëhoqi Vllazninë, ndërsa për Teutën spikati Imani Dixon me 15 pikë e 13 kërcime. Kujtojmë se të premten, në ndeshjen hapëse, Partizani mundi Studentin 77-49.
E.SIKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"