BASKETBOLL FEMRA/ Festë e kuqe, Partizani “ngrin” Tiranën në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2024 | 11:02

BASKETBOLL FEMRA/ Festë e kuqe, Partizani “ngrin” Tiranën në derbi

Akti i parë “play off” i gjysmëfinaleve në derbin e kryeqytetit ndërmjet Tiranës dhe Partizanit, i vlefshëm për kampionatin kombëtar të basketbollit të femrave, është veshur i kuq. Skuadra e Eliverta Bujarit e ka nisur me këmbë të mbarë duke triumfuar në shtëpinë e rivaleve me rezultatin 54-56 në një takim emocionues deri në sekondën e fundit. Vendimtare në suksesin e Partizanit rezultoi amerikania Antoinette Bannister, e cila me një finalizim të saktë për 3 pikë, kur kishin mbetur edhe 7 sekonda nga sirena finale, u dhuroi fitoren të kuqeve.

partizani tirana basket

NDESHJA – Derbi i parë “play off” i zhvilluar mbrëmjen e djeshme në sallën “Farie Hoti” nisi më mirë për Tiranën. Vajzat e Mirza Alibegajt e filluan me entuziazëm, duke e çuar rezultatin në 8-0 pas 2 minutave të para, për ta fituar më pas periodën e parë 24-11. Çereku i dytë vijoi me ritëm shumë të ulët në sulm, ndërsa 1 minuta nga fundi i periodës, Tirana preku edhe avantazhin maksimal prej 16 pikësh, duke kryesuar 34-18. Më tej perioda u mbyll 10-10, ndërsa ekipet shkuan në pushimin e madh në shifrat 34-21 për bardheblutë. Me rikthimin në parket të kuqet ndryshuan marsh dhe nisën ofensivën për të rikuperuar, duke e përmirësuar ndjeshëm shënjestrën.

Kështu Partizani e fitoi periodën e tretë 13-23, ndërsa pas 30 minutash lojë rezultati në tabelë shënonte 47-44 për Tiranën. Ndonëse efikasiteti në sulm ishte ulët, perioda e katërt vijoi me përmbysje dhe ripërmbysje, duke i shndërruar minutat e fundit në një “thriller” të vërtetë. Gjithçka do të zgjidhej me një finalizim të saktë për 3 pikë nga Bannister, e cila në frymën e fundit kompletoi përmbysjen finale në favor të Partizanit, duke i çuar në delir vajzat e kuqe.

Një lojë e mirë grupi në radhët e skuadrës së Eliverta Bujarit, me të gjithë formacionin që e mbylli në dopioshifër pikësh, ndërsa rendimentin më të lartë e kishte Ornela Lalaj. Kapitenia e të kuqeve, e cila dje festonte edhe datëlindjen, shkëlqeu me dopietë dyshifrore, duke shënuar 11 pikë dhe 15 kërcime. Ndërsa për t’u theksuar ishte mungesa e pikëve nga stoli për Partizanin. Ndërkohë, në kampin bardheblu spikatën Sabrina Molina Sosa me 8 pikë e 15 kërcime, si dhe Morina Bojka me 18 pikë e 13 kërcime.

Edhe te Tirana kontributi nga stoli ishte shumë i dobët, me vetëm 4 pikë gjithsej. Kështu derbi i parë shkon në favor të Partizanit, i cil tashmë do të kërkojë të vulosë kualifikimin në “Asllan Rusi” në ndeshjen e dytë që do të luhet më datë 16 prill. Ndërsa nga ana tjetër Tirana shpreson të rikthejë ekuilibrin, për ti luajtur më pas të gjitha shanset me takim shtesë në “Farie Hoti”. Në gjysmëfinalen tjetër, Flamurtari mundi Vllazninë 58-40, takim i zhvilluar të enjten në Vlorë.

bas

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"