BASKETBOLL FEMRA/ Derbi i parë sezonal është i kuq, Partizani e Flamurtari në finalen e Kupës së FSHB-së

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2023 | 11:40

BASKETBOLL FEMRA/ Derbi i parë sezonal është i kuq, Partizani e Flamurtari në finalen e Kupës së FSHB-së

Basketbolli i femrave ka startuar dje zyr tarisht edicionin e ri me Kupën e Federatës, event që po mbahet në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” në Durrës. Flamurtari dhe Partizani, finalistë në kampionatin e kaluar, e nisin aty ku e lanë, teksa do të jenë sërish përballë njëri-tjetrit në një finale.

partizani tirana basket femra

Vlonjatet dhe të kuqet kaluan me sukses provat e gjysmëfinale, duke fituar respektivisht ndaj Teutës dhe Tiranës, ndërsa nesër do të matin forcat për trofeun e parë të sezonit 2023-2024.

FLAMURTARI-TEUTA – Ndeshja e parë e Kupës së FSHB-së vendosi përballë Flamurtarin, që është edhe fituesi në fuqi i këtij trofeu dhe debutueset e Teutës, të cilat pas shumë vitesh rikthehen të përfaqësohen me ekip të rriturash. Ishin vlonjatet ato që triumfuan në gjysmëfinale me rezultatin 56-47.

Ndonëse ishte një ndeshje me rendiment të ulët në sulm për të dyja ekipet, Flamurtari e komandoi lojën gjatë të gjithë kohës. Skuadra e drejtuar nga Elona Hasanaj fitoi 18-11 në periodën e parë dhe 18-8 në të dytën, duke shkuar në pushim me avantazhin 36-19.

Në pjesën e dytë kampionet e Shqipërisë u munduan më shumë të administrojnë. Kështu vlonjatet fituan 12-10 në çerekun e tretë, duke kryesuar 48-29 pas 30 minutash.

Durrsaket provuan të reagonin në periodën e fundit, të cilën e fituan 8-18, por në shifra të përgjithshme suksesi i takoi Flamurtarit me +9 pikë.

Amerikania e Flamurtarit, Asia Henderson, me 20 pikë, ishte shënuesja më e mirë e ndeshjes. Për Teutën rendimentin më të lartë e kishte Ebi Dishnica, autore e një dopiete dyshifrore me 11 pikë dhe 13 kërcime.

524121

PARTIZANI-TIRANA – Janë të kuqet e trajneres Eliverta Bujari ato që festojnë në derbin e parë sezonal, teksa i mposhtën rivalet e bardheblu në shifrat 71-68. Siç edhe pritej, takimi rezultoi tepër interesant, por Partizani, me tri lojtare të huaja në përbërje, e komandoi lojën në pjesën më të madhe të kohës.

Pas një periode të parë më ritëm të ulët, të mbyllur 9-10 për Tiranën, ekipet u ndezën në çerekun e dytë.

Kampionet e Ligës Unike ishin më të qarta në veprimet e tyre, për ta fituar periodën 31-20, duke kryesuar 40- 30 pas gjysmës së takimit. Beteja vijoi edhe në periodën e tretë, me Tiranën që e fitoi 10- minutëshin 15-20, ndërsa pas tri periodash në shifra të përgjithshme ishte Partizani në avantazh 55-50.

Me gjithë përpjekjet e vajzave të Mirza Alibegajt në periodën e fundit që mbyllet 16-18, të kuqet e administrojnë epërsinë dhe presin biletën për në finale.

Samra Omerbasiç me 16 pikë e 9 kërcime, Marija Keseljeviç me 14 pikë, 8 kërcime dhe 6 asiste, si dhe Emma Rea Fee me 15 pikë, spikatën në radhët e Partizanit. Për Tiranën nuk mjaftoi Enisa Qosja, autore e 25 pikëve, 7 asisteve dhe 2 kërcimeve.

3232

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"