BASKETBOLL/ Elbasani në krye, fitojnë edhe Kamza e Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2023 | 12:00

BASKETBOLL/ Elbasani në krye, fitojnë edhe Kamza e Flamurtari

Elbasani vijon startin fantastik në kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj, teksa dje ka shënuar fitoren e tretë sezonale, duke marrë i vetëm kreun e renditjes. Skuadra e drejtuar nga Fabian Gjuka po tregon një formë shumë të mirë, duke e shfrytëzuar maksimalisht edhe kalendarin e favorshëm në këto tri javë të para të kampionatit.

elbasani skenderbeu basket

Në takimin e djeshëm verdheblutë shkatërruan Skënderbeun me rezultatin 123-44 (44-2, 30-10, 29-14, 20-18) në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”.

Një ndeshje pa histori, e dominuar tërësisht nga Elbasani ndaj një Skënderbeu modest. Për të kuptuar diferencat e jashtëzakonshme mes ekipeve mjaftoi perioda e parë, me korçarët që shënuan vetëm 2 pikë gjithsej, ndaj 44 pikëve të vendësve, të cilët kanë në përbërje 4 lojtarë amerikanë.

Ishin pikërisht amerikanët Girley dhe Evans lojtarët më të mirë të takimit, me të parin që regjistroi 26 pikë dhe të dytin me 21 pikë, 11 kërcime dhe 7 asistime.

0101

Dje gjithashtu u zhvilluan edhe dy sfida të tjera për javën e tretë të kampionatit, me Kamzën që nuk fali në shtëpi ndaj Apolonisë. Skuadra e Eni Llazanit triumfoi me rezultatin 93-73 (31-18, 24-16, 24-9, 14-30) në palestrën “Halit Coka”, duke futur në kasafortë suksesin e dytë sezonal.

Kamza ishte gjatë të gjithë kohës në avantazh, duke e çuar epërsinë deri në +39 pikë, ndërsa fierakët e zbutën disi diferencën në periodën e katërt. Me 29 pikë, 8 kërcime dhe 7 asistime, amerikani Porter ishte lojtari më i mirë i ndeshjes, duke udhëhequr Kamzën në këtë triumf.

Për të zotët e shtëpisë shkëlqyen gjithashtu edhe Keyes me 10 pikë e 15 kërcime, Thano me 16 pikë si dhe Namdar me 14 pikë. Për Apoloninë nuk mjaftoi treshja amerikane: Jones me 25 pikë, Hamilton me 20 dhe Bourne me 17.

0202

Flamurtari ka shënuar fitoren e parë në kampionat, sukses që ka ardhur në transfertë ndaj Fierit me rezultatin 71-78 (22- 22, 11-22, 17-12, 21-22), takim i zhvilluar në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”.

Vlonjatët e bënë kryesisht diferencën në periodën e dytë të ndeshjes, të cilën e fituan me 11 pikë diferencë, për ta menaxhuar avantazhin deri në fund. Protagonisti kryesor në suksesin e Flamurtarit ishte kapiteni Arlind Merkaj, autor i 24 pikëve, 10 asistimeve dhe 4 kërcimeve. Bindën edhe amerikanët Wiklins (23 pikë, 16 kërcime, 3 asistime) dhe Mohr (21 pikë). Ndeshje e mirë edhe për Kollovin, i cili regjistroi 10 pikë, 9 kërcime dhe 2 asistime.

0303

Java e tretë do të vijojë sot me derbin e kryeqytetit ndërmjet Partizanit dhe Tiranës, takim që do të luhet në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në orën 18:00.

Përballë do të jenë dy ekipet më të titulluara të basketbollit shqiptar, të kuqtë me 31 tituj kampionë dhe bardheblutë, fitues në fuqi të kampionatit, 21 herë kampionë.

Java e tretë do të mbyllet nesër me ndeshjen Vllaznia-Teuta, në orën 17:00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër. Ndërsa për shkak të numrit tek të ekipeve pjesëmarrëse në kampionat, këtë herë radhën për të qëndruar pushim e ka Besëlidhja.

055220

V.MEMA/D.DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"