BASKETBOLL/ Besëlidhja magjike, dominon Tiranën në finalen e parë. Një hap drejt historisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2023 | 12:30

BASKETBOLL/ Besëlidhja magjike, dominon Tiranën në finalen e parë. Një hap drejt historisë

Besëlidhja ka fituar raundin e parë të fi naleve kundër Tiranës në Superligën e basketbollit të meshkujve, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt titullit kampion, që do të ishte historik për lezhjanët. Ndonëse për herë të parë pjesë e finaleve, skuadra lezhjane zhvilloi një ndeshje të madhe.

tirana beselidhja

Të besuarit e Afrim Bilalit triumfuan dje me rezultatin e 93- 77, duke i filluar kështu me këmbë të mbarë finalet. Lezhjanët e limituan Tiranën duke i bllokuar lojtarët kyç, ndërsa treguan një shënjestër të mirë sidomos në gjuajtjen për 3 pikë. Nga ana tjetër, bardheblutë gabuan shumë në mbrojtje, ndërsa nuk kishin rendimentin e duhur as në sulm.

ATMOSFERA – Rreth 200 tifozë kishin ardhur nga Lezha për ta mbështetur ekipin e tyre në “Asllan Rusi”, me Besëlidhjen që luante si pritëse. Si rrallëherë salla kishte kaq shumë tifozë, duke llogaritur edhe përkrahjen e madhe me rreth 1 mijë tifozë të Tiranës.

NDESHJA – Besëlidhja e nisi takimin me 4 amerikanë (Robinson, Bernard, Rhine, Morris) dhe Beqon që plotësonte pesëshen titullare. Nga ana tjetër trajneri Erkand Karaji e startoi me Hamatin, Strazimirin, Hysenagollin, Prodanin dhe amerikanin Davis.

Perioda e parë është më e mirë për bardheblutë, të cilët e mbyllin në avantazh me epërsinë e 3 pikëve në shifrat 19-22. Por Besëlidhja tregohet fantastike në 10-minutëshin e dytë, duke dominuar në çdo aspekt ndaj një Tirane që gabon shumë. Lezhjanët e fitojnë këtë fraksion 30-16, duke shkuar në pushim me avantazhin 49-38 në shifra të përgjithshme.

Në periodën e dytë ka dhe acarime mes dy tifozërive, teksa nga lezhjanët kanë ardhur disa provokime me kore në drejtim të publikut kryeqytetas.

Duke u rikthyer te parketi, Besëlidhja luan më mirë edhe në periodën e tretë, të cilën e fiton 21- 16, për ta thelluar epërsinë në 70-54 pas 30 minutash lojë.

Perioda e fundit nuk ndryshon asgjë, me Besëlidhjen që e menaxhon më së miri lojën, ndërsa Tirana duket e dorëzuar dhe gjithçka mbyllet me festën e lezhjanëve. Më 22 prill në “Feti Borova” do të jetë radha e finales së dytë, sfidë që sheh Tiranën pritëse.

65654

98989

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"