BASKETBOLL/ Besëlidhja dhuron shou ndaj Teutës që në start, Tirana e nis me humbje në Fier…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2023 | 14:24

BASKETBOLL/ Besëlidhja dhuron shou ndaj Teutës që në start, Tirana e nis me humbje në Fier…

Kategoria e parë e basketbollit për meshkuj ka kompletuar ndeshjet e javës së parë. Që në start kampionati ka dhuruar takime interesante, ndërsa nuk kanë munguar as surprizat.

WhatsApp Image 2023-10-09 at 14.13.03

Besëlidhja fitoi kryendeshjen e javës, teksa tregoi forcën në Durrës, duke mundur thellë Teutën, me 23 pikë diferencë. Pas suksesit në Kupën e FSHB-së, lezhjanët e Afrim Bilalit konfirmojnë formën e shkëlqyer në këtë fillim sezoni. Skuadra veriore u shfaq dominuese në “Ramazan Njala” ndaj një Teute që vjen me shumë ndryshime. Miqtë triumfuan bindshëm në shifrat 67-90 (16-24, 20-20, 23-19, 8-27). Për 3 perioda ndeshja ishte e rivalizuar, por në 10-minutëshin e fundit lezhjanët shpërthyen, duke realizuar plot 27 pikë, ndërsa të zotët e shtëpisë vetëm 8. Lëvizjet në merkato duket se po rezultojnë të gjitha të qëlluara në shenjë për skuadrën lezhjane, me Julian Hamatin, që meritoi vlerësimin MVP, duke bërë një ndeshje fantastike me 18 pikë dhe 21 kërcime, për ti shtuar edhe 3 asiste. Paraqitje super edhe nga Eldi Hysa, i cili ndaj ish-ekipit të tij regjistroi 19 pikë, 8 kërcime dhe 5 asiste. Shkëlqyen edhe amerikanët Marquardt (23 pikë, 10 kërcime) dhe Wekees (17 pikë e 7 kërcime).

Për Teutën të vetmit që prekën kuotë dyshifrore pikësh ishin të amerikanët: Amajoyi (13 pikë, 10 kërcime), Bacon (23 pikë) dhe Small (22 pikë). Tirana, kampionia në fuqi e nis mbrojtjen e titullit me hap fals, teksa u thyer në transfertë nga Apolonia. Fierakët, të mbështetur nga qindra tifozë, e inauguruan në mënyrën më të mirë sallën e re, duke fituar me rezultatin 87-81 pas një loje të bukur. Amerikanët Deondre Bourne (36 pikë) dhe Jamarcus Jones (22 pikë) udhëhoqën Apoloninë në këtë fitore. Ndërsa për Tiranën nuk mjaftuar Gerard Davis (22 pikë) dhe Endrit Hysenagolli (17). Me këmbë të mbarë e ka nisur kampionatin edhe Vllaznia, teksa ka shënuar fitoren më të thellë të javës. Kuqeblutë e Damian Bekteshit mposhtën Skënderbeu me rezultatin 98-47 (23-9, 22-7, 30-22, 23-9), në një sfidë të dominuar nga fillimi e deri në fund.

Njeriu i ndeshjes ishte Redi Rakaj, autor i 24 pikëve dhe 7 kërcimeve për shkodranët. Në debutim shkëlqen edhe Elbasani, që mori një sukses me vlera në kryeqytet kundër Partizanit. Një ndeshje emocionuese, e cila shkoi me kohë shtesë, pasi 40 minutat u mbyllën në barazim 69-69. Por në 5 minutat e shtesës, miqtë e drejtuar nga trajneri Fabian Gjuka, u treguan më të saktë, duke vulosur fitoren në shifrat finale 79-82 (26-17, 11-22, 15-16, 17-14, 10-13). Yaradyah Evans me 31 pikë dhe 15 kërcime ishte protagonisti kryesorë në triumfin e Elbasanit. Ndërsa për “demat” e trajnerit Erdal Borova, spikati Rodgerick Broën, autor i 24 pikëve dhe 20 kërcimeve, por që mbeten vetëm për vlerë statistikore. Kujtojmë se në ndeshjen hapëse, të zhvilluar të premten, Kamza mundi Flamurtarin me rezultatin e thellë 76-45.

JAVA E PARË

6 TETOR

KAMZA – FLAMURTARI 76-45

7 TETOR

VLLAZNIA – SKËNDERBEU 98-47
PARTIZANI – ELBASANI 79-82
TEUTA – BESËLIDHJA 67-90
APOLONIA – TIRANA 87-81
(FIERI PUSHIM)

RENDITJA

SKUADRA F H PIKË KOSH

1.VLLAZNIA 1 0 2 98-47
2.KAMZA 1 0 2 76-45
3.BESËLIDHJA 1 0 2 90-67
4.APOLONIA 1 0 2 87-81
5.ELBASANI 1 0 2 82-79
6.PARTIZANI 0 1 1 79-82
7.TIRANA 0 1 1 81-87
8.TEUTA 0 1 1 67-90
9.FLAMURTARI 0 1 1 45-76
10.SKËNDERBEU 0 1 1 47-98
11.FIERI 0 0 0 0-0

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"