BASKET MESHKUJ/ Java e tetë, sot luhen dy sfida
Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj do të startojë sot javën e tetë më dy ndeshjet e para.
Sfida hapëse do të jetë ndërmjet Elbasanit dhe Flamurtarit, takim që do të zhvillohet në orën 17:00 në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”. Më tej në orën 19:00 do të jetë radha për kryendeshjen e kësaj jave, teksa Kamza dhe Tirana, ekipet që udhëheqin tabelën me pikë të plota, do të matin forcat në palestrën “Halit Coka” në Bathore.
Kamzalinjtë e Eni Llazanit vijnë pas 5 triumfeve radhazi, ndërsa bardheblutë e Erkand Karajit regjistrojnë një ecuri pozitive me 6 fitore radhazi në kampionat, teksa në mes të kësaj seria kanë ngritur lart edhe trofeun e Superkupës. Tri sfidat e tjera do të luhen të shtunën, duke nisur nga ora 18:00 me takimin Teuta-Fieri në Durrës, për të vijuar në orën 18:00 me ndeshjet Partizani-Besëlidhja dhe Vllaznia-Apolonia. Radhën për të qëndruar këtë javë pushim do ta ketë skuadra e Skënderbeut.PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"